Marrëveshja synon shkëmbimin e informatave për trajtimin e kërkesave pronësore dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Gjatë diskutimit, u ngrit shqetësimi që marrëveshjet e tilla të mos mbeten vetëm në letër.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka autorizuar nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP), e cila synon të lehtësojë shkëmbimin e informatave të nevojshme për trajtimin e kërkesave që lidhen me njohjen ligjore dhe formalizimin e të drejtave pronësore.
Gjatë prezantimit të draft-marrëveshjes u bë e ditur se asaj i kanë paraprirë një sërë takimesh ndërmjet dy institucioneve. Sipas Zyrës Ligjore, dokumenti përcakton obligimet e palëve për shkëmbimin e të dhënave, mbrojtjen e të dhënave personale dhe mekanizmat përmes të cilëve do të realizohet ky proces.
Marrëveshja është paraparë të ketë afat të pacaktuar.
Gjatë diskutimit në mbledhjen e KGjK-së, njëri nga anëtarët ngriti çështjen e pasojave në rast se marrëveshja nuk zbatohet dhe mbetet vetëm dokument formal. Ai propozoi që në të të përfshihen dispozita obliguese, të cilat do të siguronin zbatimin e detyrimeve nga të dyja palët.
“ Kjo marrëveshje, në rast se nuk zbatohet, a ka pasoja? Arsyeja e parashtrimit të pyetjes është se shumica e marrëveshjeve që bëhen, e para nuk ka dispozita imperative aty, dhe çka nëse nuk zbatohet dhe mbetet vetëm në letër”, u shpreh anëtari i Këshillit Gjyqësor.
Ai theksoi se përcaktimi i pasojave në rast të moszbatimit do të ndihmonte që marrëveshja të mos mbetej vetëm e formalizuar në dokumente.
Pas diskutimeve, KGjK-ja e hodhi në votim autorizimin për nënshkrimin e marrëveshjes. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Rrustem Thaçi, njoftoi se vendimi u miratua me votim anonim.
“Me votë anonime autorizohet kryesuesi i KGjK-së të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Vendimi hyn në fuqi më 22 tetor”, tha Thaçi.
Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Gjyqësor shqyrtoi dhe miratoi edhe një sërë çështjesh
