Lajme

Formohet Komisioni për përzgjedhjen e katër anëtarëve të Bordit të RTK-së

Albulena Haxhiu thotë se Kuvendi do të angazhohet që procesi të zhvillohet me kohë dhe në mënyrë transparente. Dy pozita i takojnë komunitetit shqiptar, një komunitetit serb dhe një komuniteteve të tjera joshumicë.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se është formuar Komisioni Ad Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër pozita në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Sipas saj, nga katër pozitat që do të plotësohen, dy janë të rezervuara për komunitetin shqiptar, një për komunitetin serb dhe një për komunitetet e tjera joshumicë.

Haxhiu ka theksuar se Kuvendi do të angazhohet që procesi i përzgjedhjes të zhvillohet me kohë dhe në mënyrë transparente, duke nënvizuar rëndësinë e kompletimit të organit drejtues të transmetuesit publik.

“Si transmetues publik, RTK-ja duhet të ketë një Bord të kompletuar”, ka deklaruar Haxhiu.

Ndërkohë, duke folur për seancën e sotme të Kuvendit, ajo ka vlerësuar se në institucionin ligjvënës po rikthehet dinamika e debatit parlamentar.

“Kuvendit po i rikthehet gjallëria”, është shprehur ajo.

Sipas Haxhiut, përmes deklarimeve të grupeve parlamentare janë ngritur dhe sqaruar çështje politike dhe tema me interes publik. Ajo ka theksuar se diskutimet janë zhvilluar edhe përmes pyetjeve të deputetëve dhe përgjigjeve të kabinetit qeveritar.

Të Ngjashme