Lajme

E kuptoi se ishte i martuar dhe deshi ta ndërpriste lidhjen – 21-vjeçarja denoncon ish-partnerin për ngacmime trevjeçare

Një lidhje dashurie e nisur rreth katër vjet më parë është kthyer në objekt të hetimeve policore në Podujevë, pasi një 21-vjeçare ka denoncuar ish-partnerin e saj për ngacmime që, sipas deklarimit të saj, kanë vazhduar për tri vjet. E reja ka rrëfyer se kishte kërkuar t’i jepte fund lidhjes pasi kishte kuptuar se burri ishte i martuar, por ai nuk kishte pranuar ndarjen, mëson Gazeta Sinjali.

Rasti është raportuar më 19 nëntor në Polici, ndërsa ngjarjet e denoncuara lidhen me një periudhë të gjatë kohore në fshatin Llapashticë e Poshtme të Podujevës.

Sipas burimeve të Sinjalit, e dëmtuara është L.I., rreth 21 vjeçe, ndërsa i dyshuari është B.R., rreth 35 vjeç.

Gjatë intervistimit në prani të përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale, e reja ka deklaruar se me të dyshuarin kishte qenë në lidhje dashurie rreth katër vjet më parë.

Sipas saj, pasi kishte kuptuar se ai ishte i martuar, kishte vendosur ta ndërpriste marrëdhënien.

Mirëpo, sipas denoncimit, i dyshuari nuk e kishte pranuar vendimin e saj dhe kishte vazhduar ta ngacmonte në mënyra të ndryshme për rreth tri vjet.

Pas pranimit të denoncimit, Policia ka njoftuar Prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit penal për veprën “Ngacmimi”.

Më 20 nëntor, i dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë në prani të avokatit mbrojtës.

Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorinë, ndaj tij është marrë vendim për ndalim prej 48 orësh.

Hetimet për verifikimin e pretendimeve të denoncuara nga e dëmtuara po vazhdojnë.

Të Ngjashme