Një zhvillim i ri ka ndodhur në hetimet për rastin e dyshuar të dhunimit seksual në Llapnasellë të Graçanicës, ku një 28-vjeçare kishte denoncuar se i dashuri e kishte dërguar në motel kundër dëshirës së saj dhe më pas kishte kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj. Pas veprimeve hetimore, i dyshuari është paraqitur në Polici dhe është ndaluar për 48 orë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një 29-vjeçar, i cili është paraqitur më 18 nëntor në Njësinë e Hetimeve në Prishtinë, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës.
Rasti ishte denoncuar më 16 nëntor, kur gruaja kishte deklaruar se një ditë më parë i dashuri, me të cilin ishte në lidhje prej rreth tri javësh, kishte shkuar ta merrte nga shtëpia për të dalë për kafe.
Sipas denoncimit, gjatë rrugës ai i kishte thënë se do të shkonin në motel, por ajo e kishte kundërshtuar.
Pavarësisht refuzimit, sipas deklarimit të saj, i dyshuari kishte vazhduar drejt motelit “Delfin” në Llapnasellë, duke hyrë me veturë në garazhin e objektit.
Pasi dera e garazhit ishte mbyllur, ai i kishte thënë se vetëm do të bisedonin.
Gruaja ka deklaruar se kishte hezituar të hynte në dhomë, por i dyshuari e kishte kapur për dore dhe e kishte futur brenda.
Sipas rrëfimit të saj, ai i kishte thënë se do të kryenin marrëdhënie seksuale pavarësisht dëshirës së saj dhe më pas dyshohet se e kishte detyruar të kryente marrëdhënie pa pëlqim.
Pas ngjarjes, sipas deklarimit të viktimës, i dyshuari e kishte kthyer me veturë deri pranë shtëpisë.
Hetuesit kishin dalë në motelin “Delfin”, ku nga të dhënat e kamerave të sigurisë kishin identifikuar një veturë BMW me ngjyrë të bardhë, të cilën dyshohet se e drejtonte personi i denoncuar.
Gruaja ishte dërguar për ekzaminim mjekësor, ndërsa sipas informacioneve fillestare, gjatë kontrollit ishin evidentuar shenja që mbështesnin dyshimin për dhunim.
Zhvillimi i ri ka ndodhur më 18 nëntor, kur personi i dyshuar është paraqitur në njësinë hetimore së bashku me avokatin e tij.
Pas intervistimit në prani të mbrojtësit, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim për ndalimin e tij për 48 orë.
Rasti po hetohet për veprën penale “Dhunim”, ndërsa i dyshuari gëzon prezumimin e pafajësisë.
