Aktuale

E RËNDËSISHME! SHBA ndryshon rregullat mbi aplikimet për “Green Card”, ja çfarë duhet të dini

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka njoftuar një ndryshim të madh në politikën e emigracionit, duke kërkuar që personat që aplikojnë për “Green Card” të largohen nga Shtetet e Bashkuara gjatë kohës së shqyrtimit të aplikimit të tyre.

Sipas rregullit të ri, të publikuar të premten nga autoritetet amerikane të emigracionit, aplikantët që kërkojnë qëndrim të përhershëm ligjor në SHBA nuk do të mund ta përfundojnë më procesin brenda territorit amerikan, përveç rasteve të jashtëzakonshme.

Ata do të duhet të kthehen në vendet e tyre tëorigjinës për të vazhduar procedurat dhe për të aplikuar për vizën përkatëse nëpërmjet ambasadave ose konsullatave amerikane.

Ky vendim pritet të prekë qindra mijëra emigrantë të ligjshëm që jetojnë dhe punojnë aktualisht në SHBA, pasi shumë prej tyre mund të detyrohen të largohen përkohësisht nga vendi, duke lënë pas familjet, vendet e punës dhe jetën që kanë ndërtuar atje, deri në përfundimin e procesit të aplikimit, i cili në shumë raste zgjat me muaj, madje edhe me vite.

Procesi për pajisjen me “Green Card” konsiderohet prej kohësh një nga procedurat më të ndërlikuara dhe më të gjata në sistemin amerikan të emigracionit, për shkak të verifikimeve të shumta, dokumentacionit të gjerë dhe kohës së gjatë të pritjes për shqyrtimin e aplikimeve.

Shërbimet Amerikane të Shtetësisë dhe Imigracionit kanë bërë të ditur se përjashtime nga ky rregull do të lejohen vetëm në “raste të jashtëzakonshme”. Sipas zyrtarëve amerikanë, masa e re synon të parandalojë qëndrimin e paligjshëm në SHBA në rastet kur aplikimet për qëndrim të përhershëm refuzohen.

Të Ngjashme