Ambasada e Italisë në Prishtinë iu bashkua shqetësimit të ngritur nga Bashkimi Evropian për rrënimin e shtëpive pranë Liqenit të Ujmanit. Ambasada shpërndau reagimin e BE-së në faqen e saj zyrtare në Facebook.
Më 24 korrik nisi rrënimi i 11 shtëpive në bregun e Liqenit të Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut me arsyetimin se objektet janë ndërtuar pa leje në tokën që administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”.
Për këtë aksion, BE-ja tha se është e shqetësuar për mungesën e respektimit të procedurës së rregullt ligjore në këtë dhe në disa raste të tjera të kohëve të fundit në veri të Kosovës që nga shkurti i këtij viti.
BE bëri thirrje ”për ndërprerjen e menjëhershme të çdo rrënimi, largimi të detyruar apo marrjeje në posedim të mëtejshme derisa shqetësimet lidhur me procedurën e rregullt ligjore, proporcionalitetin, të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut dhe mjetet juridike efektive të adresohen në mënyrë të duhur”.
“Autoritetet duhet të bashkëpunojnë pa vonesë me banorët dhe komunat e prekura dhe të shqyrtojnë zgjidhje të ligjshme”.
Gjithashtu, BE tha se roli i Policisë së Kosovës në operacione të tilla duhet të “mbetet rreptësisht brenda mandatit të saj ligjor, të bazohet në kërkesa ose vendime të qarta të autoriteteve kompetente dhe të dokumentohet në mënyrë të duhur”.
Rrënimet u kryen nën asistimin e Policisë së Kosovës.
“Masat e pakthyeshme të zbatimit në kontekstin e procedurave në zhvillim dhe pretendimeve të kontestuara pronësore ngrehin shqetësime serioze për sundimin e ligjit. Në përputhje me rrugën evropiane të Kosovës, BE-ja pret që autoritetet t’i adresojnë këto shqetësime me urgjencë dhe transparencë dhe të sigurojnë që veprime të ngjashme të mos përsëriten”.
