Lajme

Edhe LDK reagon pas incidentit në Skenderaj – ja mesazhi i saj

Pas sulmit ndaj zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka dënuar dhunën e sotme politike, duke shprehur shqetësime për klimën e rrezikshme të gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve dhe terrorit digjital.

Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës mospajtimet politike duhet të mbeten gjithmonë brenda normave demokratike, institucionale dhe qytetare.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon me vendosmëri dhunën e sotme politike dhe shpreh shqetësimin e thellë për klimën e rrezikshme të gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve dhe terrorit digjital që, prej kohësh, po rëndon jetën publike dhe debatin demokratik në Republikën e Kosovës.

Retorika përçarëse, nxitëse dhe denigruese që është normalizuar në hapësirën publike e digjitale nuk mund të trajtohet si fenomen i zakonshëm politik. Gjuha e urrejtjes prodhon tension, cenon sigurinë publike dhe krijon ambient ku dhuna rrezikon të shihet si mjet i pranueshëm i përballjes politike. Kjo është e papranueshme për një republikë demokratike.

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se mospajtimet politike duhet të mbeten gjithmonë brenda normave demokratike, institucionale dhe qytetare. Republika jonë ka nevojë për debat politik, për garë të ideve dhe vizioneve, jo për linçim, frikësim apo sulme ndaj kundërshtarit politik.

Në këtë frymë, ftojmë të gjithë akterët politikë, institucionet përgjegjëse dhe shoqërinë në tërësi që të kontribuojnë në ruajtjen e një klime të qetë demokratike, në respektimin e kulturës së komunikimit publik dhe në mbrojtjen e rendit demokratik.

Kosova ka nevojë për maturi politike, përgjegjësi shtetërore dhe sundim të ligjit. Çdo akt dhune, çdo gjuhë urrejtjeje dhe çdo përpjekje për intimidim politik duhet të refuzohet qartë dhe pa ekuivok nga të gjithë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Të Ngjashme