Lajme

​Ekonomia digjitale arrin 2 miliardë euro, Kurti: Mbi 11 mijë biznese janë aktive

Mbi 11 mijë biznese janë aktive në sektorin e ekonomisë digjitale dhe të shërbimeve profesionale, theksoi kryeministri Albin Kurti. Qarkullimi i këtyre bizneseve, ka shtuar ai, ka arritur në dy miliardë euro gjatë vitit të kaluar.

Kështu u shpreh Kurti në eventin e organizuar nga Asociacioni i Udhëheqësve të Shërbimit në Kosovë me temën: “Kosova nga një destinacion pranë bregut në një kufi inovacioni”.

“Sektorët e shërbimeve BPO dhe TIK janë ndër sektorët që po rriten më së shpejti në ekonominë tonë. Sot ata punësojnë drejtpërsëdrejti mbi 47 mijë persona, të cilët përfaqësojnë jo vetëm ata persona që punojnë dhe menaxhojnë, krijojnë dhe zhvillojnë por edhe familje. Pastaj edhe njerëz që blejnë shtëpi e prona të tjera. Mandej të rinj që zgjedhin të qëndrojnë në Kosovë dhe qytetin e tyre, të cilat gjithnjë e më shumë po përparojnë. Concentrix, sponsori kryesor i këtij takimi e ka kuptuar këtë shumë mirë dhe shumë herët. Vendimi i tyre për të hapur qendra jo vetëm në Prishtinë por edhe në Mitrovicë e Prizren tregon besim në potencialin e gjithë vendit tonë, jo vetëm të kryeqytetit”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Albin Kurti tha se pasuria më e madhe e vendit janë njerëzit, ku të rinjtë në Kosovë përfaqësojnë përqindjen më të madhe, të cilët siç tha ai, flasin disa gjuhë.

“Sot, 11 mijë e 410 biznese janë aktive në sektorin e ekonomisë digjitale dhe të shërbimeve profesionale dhe mbështetëse, me një qarkullim i cili ka arritur 2 miliardë euro gjatë vitit që lamë pas gjatë vitit 2025. Duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 16 për qind. Nga këto 78 për qind sigurojnë të ardhura nga tregjet ndërkombëtare, kryesisht nga Gjermania, Zvicra dhe Austria. Kjo tregon se Kosova përtej produkteve, eksporton aftësi dhe njohuri… Nëse më pyesni se cila është pasuria më e madhe e Kosovës, natyrisht që do të them njerëzit tanë. Jemi populli më i ri në Evropë, me më shumë se gjysmën e popullsisë nën moshën 35-vjeçare, të cilët flasin disa gjuhë, janë të talentuar dhe optimist dhe kanë shkollimin për të zhvilluar talentin e tyre”, ka shtuar ai.

Zëvendësshefi i Misionit dhe Shef i Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën e Suedisë në Kosovë, Henrik Riby tha se janë krenar që po mbështesin këtë transformim të Kosovës.

“Një numër i madh i të rinjve është i punësuar dhe është duke u punësuar dhe është sektor në rritjen më të madhe se të tjerat, sepse krijon vende pune cilësore, veçanërisht për rininë, përforcon tregtinë brenda vendit dhe me shtetet e tjera. Dhe në të ardhmen, shpresojmë se një shtet i fuqishëm përveç Gjermanisë, Zvicrës dhe shteteve të tjera do të ju thërras edhe Suedia dhe do të jetë në mesin e atyre shteteve”, ka thënë ai.

Në njëvjetorin e themelimit të organizatës “ABSL Kosova”, drejtori i bordit, Egzon Rexhepi tha se Kosova ka talent dhe kompanitë anëtare që çdo ditë sipas tij, promovojnë që Kosova të konkurrojë në të gjithë vendin dhe më gjerë.

“Në Kosovë e kemi talentin, e kemi energjinë, e kemi kompanitë anëtare që çdo ditë provojnë që Kosova të konkurrojë në të gjithë vendin dhe më gjerë. Sot do të dëgjojë nga anëtarët tanë dhe do të shihni edhe nga anëtarët e tyre dhe do të ndajmë hapa strategjik për vitin që vjen si ABSL Kosova. Ju ftoj të jeni aktiv, të pyesni, të sfidoni dhe të kontribuoni sepse ABSL Kosova nuk është një projekt tjetër përveç ju që jeni këtu”, përfundoi ai.

Sektori i ekonomisë digjitale dhe shërbimeve profesionale në Kosovë është ndër fushat me rritjen më të shpejtë në vitet e fundit, duke u mbështetur kryesisht në fuqinë e të rinjve dhe aftësitë e tyre shumëgjuhëshe. Ky sektor ka rritur praninë në tregjet ndërkombëtare dhe po konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës në vend.

Të Ngjashme