Lajme

Një i arrestuar për mashtrim, dyshohet se u prezantua rrejshëm si punonjës i AKI-së

Policia e Kosovës bëri të ditur se sot u arrestua personi D.N. i cili dyshohet se nga fillimi i vitit 2025 e deri në raportimin e rastit, ishte prezantuar rrejshëm si punonjës i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, duke kërkuar shuma të ndryshme parash në këmbim të punësimit në këtë institucion.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit iu caktua masa e ndalimit për 48 orë.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me një rast të dyshuar të mashtrimit të raportuar në tetor të këtij viti.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përkatëse, mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe hetimin e veprave penale, si dhe në mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet dhe keqpërdorimi i besimit të tyre.

I bëjmë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj personave që pretendojnë se mundësojnë punësim në institucione publike në këmbim të parave dhe që rastet e tilla t’i raportojnë në Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Të Ngjashme