Lajme

Arrestohet i dyshuari për grabitje në tentativë në një barnatore në Pejë

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për grabitje në tentativë në një barnatore në rrugën “Bekim Berisha – Abeja”, në Pejë.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti kishte ndodhur më 12 tetor 2026, rreth orës 19:10, kur një person i armatosur me thikë kishte hyrë në barnatore me qëllim të kryerjes së grabitjes.

Megjithatë, pasi kishte vërejtur se brenda objektit ndodheshin disa persona, i dyshuari ishte larguar në drejtim të panjohur, pa ndërmarrë veprime të tjera.

Policia ishte njoftuar për rastin rreth orës 19:15, ndërsa njësitet përkatëse kishin dalë në vendin e ngjarjes. Në konsultim me prokurorin kompetent, ishte iniciuar rast për veprën penale “Grabitje në tentativë”.

Pas veprimeve intensive hetimore nga Sektori Rajonal i Hetimeve, policia ka arritur ta identifikojë të dyshuarin me inicialet K. Z., mashkull i moshës madhore.

Ai është arrestuar më 21 tetor në qytetin e Pejës, ndërsa pas përfundimit të procedurave të nevojshme, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe hetimin e veprave penale, identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar, si dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Të Ngjashme