Publicisti Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, ka reaguar lidhur me protestat në Shqipëri, duke kritikuar kryeministrin Edi Rama për situatën politike dhe ekonomike në vend.
Shahu i ka bërë thirrje Ramës të veprojë kundër çdo ndikimi të huaj që synon destabilizimin e Shqipërisë.
“Preje dorën e huaj që destabilizon vendin Edi Rama. Preje dorën e huaj që po ta shkatërron dhe destabilizon Shqipërinë z. Rama. Preje dhe shpëtoje Shqipërinë dhe veten tënde.
Ose mos llomotit dokrra. U jam lutur protestuesve si qytetar që të heqin maskat, te mos dalin me maska, nuk dua ndryshim pushteti nga maskat, nuk dua pushtet maskash. Nuk dua rini studentore a gjimnazistë me maska në protestë se mbjellin frikë. Ndonëse gjimnazistë janë shumica që venë maska që të fshihen prej policisë ma maska e pa maska që u shkon natën në shtëpi për kontrolle.
Nuk dua policë me maska policë civilë me maska, patronazhistë e bodigardë me maska. Nuk e dua shtetin me maska.
Nuk dua islamikë me maska, gra a burra të fshehur pas perçeve e xharrave të zeza, pas maskave të frikshme. Nuk jam kundër shamive, nënat tona kanë mbajtur gjithë jetën shami të bardha, por nuk kanë fshehur fytyrën e sytë. Më mirë kriminelët pa maska sesa kriminelë me maska”, ka thënë ai.

Rexhep Shahu
Publicisti ka folur edhe për mbrojtjen e institucioneve diplomatike dhe fetare, duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit për garantimin e sigurisë së tyre.
“Me gjithë forcën të ndërhyjë shteti në mbrojtje të selisë e flamurit të selisë së shenjtë të Vatikanit, nga çdo dorë krimi me ose pa maska. Ne jemi popull i biblës. Vatikani është mbrojtës i ynë.
Të ndërhyjë me gjithë forcën në mbrojtje të ambasadës Izraelit, të demantojë ligësitë sikur na pushtuan izraelitët, sikur ato janë të padukshëm e prej ajri. Me Izraelin ma lidh fati dhe Kosova”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Shahu ka kritikuar mënyrën se si qeveria e Ramës po e trajton opozitën dhe protestat.
“Propaganda e qeverisë dhe e Ramës të mos shpallë armike PD.
Në thelb opozitarizmin e ka PD por kjo protestë po merr benzinë që në krye nga partiçka të majta që synojnë pushtetin. Ka frymëzime për një pushtet tjetër të majtë, për të mbarsur një parti të re komuniste, për pushtet jashtë parlamentit e aventura banale.
Por më shumë protestën e frymëzon makutëria e pangopësia e hajdutëve që ushqen qeveria dhe vetë Edi Rama.
Nuk e dimë sa peng e ka lënë veten kryeministri Rama por aferat e mëposhtme trazojnë dhe të vdekurit.
Më shumë se çdo dorë e huaj është administrata jote z. Rama që frymëzon protestë, është varfëria, shëndetësia jote falas me lekë nën dorë, shkolla pa mësues, shkretimi i vendit, qafëtrashët e pushtetarëve tu…”, ka shtuar ai.
Në fund, Shahu ka renditur 28 çështje dhe projekte për të cilat ka ngritur akuza për keqpërdorime dhe dëme ndaj qytetarëve shqiptarë.
“Ja disa nga vjedhjet gjigante që u janë bërë shqiptarëve nga njerëz me mbështetjen e Edi Ramës:
1. Inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit
2. Dosja 5D
3. Tuneli i Llogarasë
4. Tenderët e AKSHI-t
5. Unaza e Madhe në Tiranë
6. Rruga e Arbrit
7. PPP-të
8. Gjyqi Becchetti
9. Dëmshpërblimet nga vendimet e GJEDNJ
10. Koncesioni Check-up
11. Koncesioni i sterilizimit
12. Koncesioni i laboratorëve
13. Hekurudha Tiranë – Durrës – Rinas
14. Porti i Durrësit
15. Koncerti Kaney West
16. Kayo dhe Timak Defence
17. Smart city
18. Gjoba 120 ml euro e falur për Bankers Petrolium
19. Air Albania e falimentuar
20. Aeroporti i Vlorës (Bexheti si Beketi dhe vaj medet buxheti)
21. Tigri 1 dhe Tigri 3
22. Fondet IPARD
23. Arbitrazhet e tjera ndërkombëtare
24. Shpenzimet për konsulenca
25. Fondet e Propagandës
26. Dhënien e bregdetit për ndërtime
27. Dhënien 4-5 herë më shtrenjtë një km udhë
28. Mbi një milionë shkollarë universitarë profesionistë të Shqipërisë të dëbuar nga atdheu dhe të legalizuar në Europë në dekadën e pushtetit të mafies së Edi Ramës.
Besoj se Edi Rama duke qeverisë me klan personal, është bërë e shkuar për Shqipërinë”, ka përfunduar Shahu për “Bota sot”.
