Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ngadhnjim Arrni, së bashku me administratorin e kësaj gjykate, Shaban Gërxhaliu, kanë pritur në një takim zyrtar një delegacion nga Mbretëria e Bashkuar, i shoqëruar nga përfaqësueset e Ambasadës Britanike në Prishtinë.
Në përbërje të delegacionit ishin James Mayne, këshilltar i lartë për politika në Ministrinë e Drejtësisë së Mbretërisë së Bashkuar, përgjegjës për politikat që lidhen me shtetasit e huaj të dënuar; Raie Wilkins, udhëheqëse e politikave për shtetasit e huaj të dënuar në të njëjtën ministri; si dhe Julie McDonough, zëvendësudhëheqëse për transferimin e të burgosurve dhe zbatimin e transferimeve në Shërbimin e Burgjeve dhe Shërbimin e Provës të Madhërisë së Tij (HMPPS).
Delegacioni u shoqërua nga Margaret Belof, udhëheqëse e Sektorit për Sundimin e Ligjit në Ambasadën Britanike në Prishtinë, dhe Altina Besimi, zyrtare për zbatimin e politikave në fushën e sundimit të ligjit në këtë ambasadë.
Gjatë takimit, kryetari Arrni i njoftoi të pranishmit me sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës, strukturën organizative dhe funksionimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe me efikasitetin në trajtimin e lëndëve dhe sfidat me të cilat përballet institucioni.
Diskutimet u përqendruan në procedurat gjyqësore të ekstradimit dhe transferimit të personave të dënuar, bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, si dhe çështje të tjera me interes të ndërsjellë. Anëtarët e delegacionit parashtruan pyetje lidhur me këto fusha, të cilave iu përgjigj kryetari i gjykatës.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të përvojave profesionale, me synim forcimin e praktikave institucionale dhe gjyqësore.
Në kuadër të vizitës, delegacioni u informua edhe për organizimin dhe funksionimin e Pallatit të Drejtësisë, me theks të veçantë në masat e sigurisë për palët dhe publikun që frekuentojnë gjykatën.
Po ashtu, përfaqësuesit britanikë vizituan njërën nga sallat e gjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku kryetari Arrni dhe administratori Gërxhaliu prezantuan organizimin dhe mënyrën e zhvillimit të seancave gjyqësore në Republikën e Kosovës.
