Aktuale

“2 milionë euro gjobë për familjen e Spiropalit?”, përplasja e deputetes me Ramën, gazetari nxjerr prapaskenat: Çfarë dyshohet se ndodhi në 13 tetor?

Gazetari Basir Çollaku ka deklaruar në “NTV Television” se administrata tatimore ka tentuar të vendosë një gjobë prej rreth 2 milionë eurosh ndaj bizneseve të bashkëshortit të deputetes socialiste, Elisa Spiropalit.

“Me informacionin që kam, duhet zyrtarizuar, por burimet janë të besueshme, ka pasur një përpjekje tatimore për të vendosur një gjobë shumë të konsiderueshme ndaj bizneseve të familjes së saj”, u shpreh Çollaku.

Sipas gazetarit, kjo përpjekje dyshohet të ketë ndodhur rreth datës 13 tetor, ndërsa ai ngriti pikëpyetje nëse bëhet fjalë për një masë financiare të lidhur me zhvillimet e fundit politike.

“Afër rreth 2 milionë euro, afër, diçka më pak apo më tepër. Pra kjo është ajo që unë di, që ka pasur një përpjekje për ta sanksionuar si ndëshkim financiar nga tatimorët”, deklaroi ai.

Çollaku pranoi se nuk ka informacion nëse gjoba është zyrtarizuar, është tërhequr apo nëse një masë e tillë ka bazë ligjore.

Deklaratat vijnë pas letrës së hapur të Spiropalit drejtuar Ramës, ku ajo kërkoi ndryshime politike, si dhe pas mungesës së saj në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar socialist. Megjithatë duhet theksuar se pretendimet e gazetarit nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga administrata tatimore apo palët e përmendura, por mbeten në kontekstin e deklaratave të tij në panel.

Të Ngjashme