Rreth 90 subjekte tregtare në Tiranë kanë raportuar dëme materiale nga aktet e dhunshme gjatë protestave të ditëve të fundit, ndërsa vlera e humbjeve të deklaruara për disa prej bizneseve arrin deri në 18 milionë lekë të reja.
Të dhënat janë bërë të ditura nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bazuar në konstatimet e administratës tatimore në terren dhe raportimet e pranuara përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”, në portalin e-Albania.
Sipas administratës tatimore, procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve është ende në vazhdim, ndaj numri i subjekteve të prekura dhe vlera e humbjeve mbeten paraprake dhe mund të ndryshojnë pas përfundimit të verifikimeve.
“Vlera e dëmeve për subjekte të veçanta deri tani arrin në shifrën e 18 milionë lekëve të reja”, ka bërë të ditur administrata tatimore për mediat shqiptare.
Ndërkohë, bizneset që kanë pësuar dëmtime mund t’i raportojnë ato përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”, duke plotësuar formularin përkatës dhe duke bashkëngjitur fotografi të dëmeve, si dhe dokumente të tjera mbështetëse.
Të dhënat e dorëzuara do të shërbejnë për evidentimin dhe vlerësimin e pasojave ekonomike të dëmtimeve.
Pas përfundimit të verifikimeve, pritet të hartohet regjistri zyrtar i dëmeve, i cili do të shërbejë si bazë për përcaktimin e masave të dëmshpërblimit.
