Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Shën Stefan të Malit të Zi, në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për reformat, integrimin evropian të Kosovës dhe hapat konkretë drejt avancimit të vendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Ai ka theksuar se me institucione plotësisht funksionale, Kosova do të përshpejtojë reformat.
Kreu i Qeverisë ka vlerësuar se përparimi demokratik i Kosovës, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe përafrimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të pasohen me hapa konkretë nga institucionet evropiane.
Postim i plotë:
Takimin e parë në Shën Stefan në Mal të Zi në margjina të Samitit të Procesit të Berlinit, e pata me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Me institucione plotësisht funksionale Kosova do t’i përshpejtoj reformat. Javën e kaluar miratuam ligjin e fundit për integrim në SEPA, që do t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit, ndërkohë shpejt fillojnë negociatat për “Roam like at Home” për t’ju bashkuar zonës pa tarifa shtesë.
Përparimi ynë demokratik, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe linjëzimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të reflektohen në hapa konkretë. Është e rëndësishme dhe e nevojshme, mbështetja proaktive e Komisionit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Në Procesin e Berlinit, Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë atë për njohjen e diplomave, të cilat duhet t’i zbatojnë të gjithë, përkatësisht edhe fqinji ynë verior, Serbia.
