Lajme

Ekspertët alarmojnë pas deklaratës së Vuçiqit për Radoiçiqin: Po sfidohet drejtësia ndërkombëtare!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të hënën se Milan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në vitin 2023 dhe për të cilin është lëshuar një “Red Notice” nga Interpol, nuk po ndiqet penalisht për ndonjë krim.

Sipas Vuçiqit, procedurat ndaj tij nuk lidhen me akuza konkrete penale, por me kontekstin politik dhe tensionet mes Serbisë dhe Kosovës.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur rasti i Banjskës vazhdon të jetë një nga çështjet më të ndjeshme të sigurisë në rajon dhe ka shkaktuar reagime të shumta nga autoritetet në Kosovë dhe partnerët ndërkombëtarë.

“S’keni thënë pse Milan Radoiçiq është në njoftim të kuq. Nuk është për shkak të krimit, por për shkak të Kosovës”, tha Vuçiq në një konferencë për media.

Berisha: Kjo qasje dërgon një mesazh shqetësues, sepse krijon përshtypjen e mbrojtjes politike për një person të akuzuar për një sulm të rëndë të armatosur

Njohësi i sigurisë, Fidair Berisha në një përgjigje për “Bota sot”, ka kritikuar deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke thënë se ato synojnë të relativizojnë përgjegjësinë e Milan Radoiçiq për sulmin në Banjskë.

Image
Fidair Berisha

“Sigurisht që këtë deklaratë të presidentit Vuçiq e shoh si vazhdimësi të një qasjeje që synon ta relativizojë përgjegjësinë e Milan Radoiçiqit për sulmin terrorist në Banjskë. Pretendimi se ai nuk po ndiqet për krim, por vetëm “për shkak të Kosovës”, bie ndesh me faktin se Radoiçiq ka marrë publikisht përgjegjësinë për organizimin e sulmit dhe ndaj tij ekziston një njoftim i kuq i Interpolit në bazë të procedurave penale të zhvilluara nga autoritetet e Kosovës”, tha ai.

Berisha shton se kjo qasje e Serbisë dërgon një mesazh shqetësues, pasi krijon përshtypjen e mbrojtjes politike për një person të akuzuar për sulmin në Banjskë.

Sipas tij, kjo nuk është vetëm çështje mes Kosovës dhe Serbisë, por lidhet me sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Mendoj se kjo qasje dërgon një mesazh shqetësues, sepse krijon përshtypjen e mbrojtjes politike për një person të akuzuar për një sulm të rëndë të armatosur. Kjo nuk është vetëm çështje e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, por edhe e respektimit të parimit të sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit dhe terrorizmit.

Konsideroj se partnerët ndërkombëtarë duhet ta marrin seriozisht këtë retorikë dhe të kërkojnë bashkëpunim të plotë nga Serbia me mekanizmat e drejtësisë. Nëse një person i kërkuar për një sulm të tillë mbetet i mbrojtur politikisht dhe nuk përballet me drejtësinë, kjo rrezikon të dëmtojë besueshmërinë e angazhimeve të Serbisë ndaj sundimit të ligjit dhe stabilitetit rajonal”, nënvizoi ai për “Bota sot”.

Elezi: Mbrojtja e Radoiçiqit nga Vuçiqi, një sfidë të hapur ndaj parimeve themelore të drejtësisë ndërkombëtare dhe bashkëpunimit juridik mes shteteve

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, vlerëson se deklaratat e Aleksandar Vuçiqit për Milan Radoiçiqin sfidojnë drejtësinë ndërkombëtare dhe përpiqen ta paraqesin si çështje politike një rast penal që lidhet me sulmin në Banjskë.

Image
Bedri Elezi

Sipas tij, kjo tregon mungesë vullneti nga Serbia për bashkëpunim në ndjekjen e përgjegjësisë penale.

“Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me Milan Radoiçiqin nuk përbëjnë më thjesht një qëndrim politik, por një sfidë të hapur ndaj parimeve themelore të drejtësisë ndërkombëtare dhe bashkëpunimit juridik mes shteteve.

Pretendimi se Radoiçiq “nuk kërkohet për krim, por për shkak të Kosovës” është një përpjekje e qartë për të zhvendosur një çështje penale të rëndë në një narrativë politike. Kjo narrativë bie ndesh me faktin se rasti lidhet me sulmin e armatosur në Banjskë të vitit 2023, një incident që ka cenuar drejtpërdrejt sigurinë e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe stabilitetin rajonal.

Në vend të distancimit institucional nga një individ që ka marrë publikisht përgjegjësinë për një akt të tillë, diskursi politik nga Beogradi ka shkuar në drejtim të relativizimit dhe mbrojtjes indirekte. Kjo qasje krijon një perceptim serioz në opinionin ndërkombëtar se ekziston një mungesë e vullnetit politik për bashkëpunim në ndjekjen e përgjegjësisë penale, sidomos kur ajo prek struktura të ndërlidhura me interesat shtetërore”.

Elezi shton se rasti i Banjskës nuk është një incident i izoluar, por një rast që duhet të hetojë edhe strukturat mbështetëse dhe përgjegjësinë politike. Ai thotë se, mungesa e një aktakuze gjithëpërfshirëse krijon hapësirë për mohim politik dhe rrezikon të normalizojë mosndëshkueshmërinë.

“Rasti Banjska nuk mund të trajtohet si episod i izoluar kriminal. Ai përfaqëson një model të organizimit të dhunës së strukturuar, ku pyetjet kryesore nuk lidhen vetëm me ekzekutorët, por me zinxhirin e mundshëm të komandës, mbështetjes logjistike dhe politike. Pikërisht këtu lind edhe dimensioni më i ndjeshëm: përgjegjësia shtetërore dhe politike, e cila nuk mund të fshihet pas narrativave deklarative.

Në këtë kontekst, mungesa e një aktakuze gjithëpërfshirëse që të adresojë jo vetëm autorët e drejtpërdrejtë, por edhe strukturat mbështetëse dhe dimensionin ndër-shtetëror të mundshëm, përbën një boshllëk serioz në trajtimin juridik të rastit. Ky vakum institucional i jep hapësirë mohimit politik dhe deformimit të fakteve.

Prandaj, deklaratat e Vuçiqit nuk janë thjesht koment politik, por pjesë e një diskursi që rrezikon të normalizojë mos-ndëshkueshmërinë për aktet e dhunës së organizuar. Nëse figura të tilla mbrohen politikisht në vend që të distancohen juridikisht, atëherë vihet në pikëpyetje jo vetëm sundimi i ligjit në Serbi, por edhe serioziteti i angazhimeve të saj ndërkombëtare”.

Në përfundim, Elezi thekson se rasti i Banjskës është një provë për drejtësinë ndërkombëtare dhe se përgjegjësia penale nuk duhet të zëvendësohet nga narrativat politike.

“Ky rast tashmë e tejkalon kornizën Kosovë–Serbi. Ai është test për Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë: nëse parimi i përgjegjësisë penale zbatohet pa standarde të dyfishta, apo nëse lejohet që narrativat politike të zëvendësojnë përgjegjësinë juridike.

Në fund, Banjska mbetet një pikë ndarëse mes dy botëve: asaj të rendit ndërkombëtar të bazuar në ligj, dhe asaj të politikës së forcës, ku përgjegjësia relativizohet dhe dhuna trajtohet si instrument i justifikueshëm politik” – përfundon ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme