Aktuale

Elisa Spiropali fillon aksionin për spastrimin e PS, nis takimet nga zyra e re me eksponentët e vjetër socialistë

Elisa Spiropali fillon aksionin për spastrimin e PS, nis takimet nga zyra e re me eksponentët e vjetër socialistë për reformimin e mazhorancës
Një “bombë me sahat” ka shpërthyer brenda radhëve të mazhorancës socialiste, duke kërcënuar të shkatërrojë përgjithmonë status-quonë e pushtetit. Ish-ministrja e Jashtme, njëherësh ish-kryetarja e Kuvendit dhe deputete e PS, Elisa Spiropali, ka ndezur një aksion të paprecedentë politik për spastrimin e menjëhershëm të Partisë Socialiste nga të korruptuarit dhe të paaftët. Larg zyrave zyrtare të qeverisë, ish-ministrja Spiropali ka blinduar pozicionet e saj në një seli të re operative në zemër të ish-Bllokut. Burime ekskluzive bëjnë me dije se ajo ka marrë me qira një ambient në katet e sipërme të ndërtesës ku ndodhet lokali i njohur “Cioccolati Italiani”. Kjo zyrë e re është kthyer në “epiqendrën” e një lëvizjeje të bujshme, ku gjatë javëve të fundit, aty janë parë të hyjnë e të dalin në fshehtësi të plotë eksponentë të lartë të PS-së, ish-ministra dhe deputetë me peshë të grupit parlamentar, të cilët po rreshtohen krah platformës së saj të re.

Mocioni që ndez “luftën e parimeve”

Në thelb të këtyre takimeve “kokë më kokë” është dokumenti “sekret” i titulluar “Marrëveshja e Re për Shqipërinë”. I dorëzuar fillimisht si një sfidë direkte në Asamblenë Kombëtare të PS-së, ky mocion detyroi autoren ta bënte publik pas një presioni dhe interesimi të jashtëzakonshëm nga mediat. Spiropali ka shpallur zyrtarisht një luftë të hapur kundër strukturave të atrofizuara të partisë, duke kërkuar një ndryshim radikal: “Asnjë funksion nuk duhet të jetë i përhershëm!”, është ultimatumi i prerë që pritet të shkallmojë kulturën e vjetër të privilegjeve dhe besnikërive personale, për t’i hapur rrugë meritokracisë së pastër dhe garës së egër në çdo nivel organizimi.

Goditje me “thikë” sistemit, pse marrëveshja e 2008-ës ka “vdekur”

Por ish-ministrja e Jashtme, njëherësh deputetja socialiste, Elisa Spiropali nuk ndalet me kaq. Ajo ka lëshuar alarmin se marrëveshja famëkeqe politike Rama-Berisha e vitit 2008 ka vdekur klinikisht. Me një guxim të paparë, ajo kërkon me urgjencë:

Përmbysjen e sistemit zgjedhor dhe kalimin në një Sistem Proporcional Kombëtar me lista të hapura.
Ndarjen me thikë mes partisë dhe shtetit, duke ndaluar rreptësisht përdorimin e administratës publike si vegël apo mish për top në fushata politike.
Kufizimin e pushtetit të vetë qeverisë, duke ia rikthyer Parlamentit rolin si qendra e vërtetë dhe absolute e vendimmarrjes demokratike.
Sfidë e hapur për Edi Ramën

Megjithatë kjo lëvizje tejet agresive dhe e guximshme nuk është thjesht një propozim i brendshëm, por një ftesë e hapur për një “Dialog Kombëtar” që kapërcen muret e selisë rozë. Spiropali po kërkon aleancë direkte me qytetarët, diasporën dhe madje edhe forcat opozitare për të thyer përfundimisht monopolin e një pushteti të mbyllur. Me këtë platformë bombastike, Elisa Spiropali ka hedhur dorezën e sfidës. Tashmë, sytë e të gjithëve janë drejtuar nga kryesocialisti Edi Rama: A do ta pranojë ai këtë provë zjarri për të reformuar partinë nga brenda, apo ky aksion do të shënojë krisjen më të madhe dhe më të rrezikshme në historinë e mazhorancës? Lufta sapo ka filluar, sikundër e tregojnë takimet nga zyra e re e ish-ministres Spiropali me eksponentët e vjetër socialistë për reformimin e mazhorancës. Sidoqoftë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Të Ngjashme