Lajme

AUV asgjëson mbi 5.5 tonë misër nga Serbia, përmbante aflatoksinë B1 mbi kufijtë e lejuar

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar 5.56 tonë misër me origjinë nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar se produkti përmbante aflatoksinë B1 në sasi mbi kufijtë maksimalë të lejuar.

Sipas njoftimit të AUV-së, ndalimi i përdorimit dhe tregtimit të këtij misri është bërë në kuadër të kontrolleve zyrtare për sigurinë e ushqimit dhe ushqimit për kafshë.

Masat janë ndërmarrë ndaj tri subjekteve ekonomike. Në kompaninë “Agro Com” Sh.P.K. në Fushë Kosovë janë asgjësuar 3,270 kilogramë misër, në “Thermo-1” Sh.P.K. në Prugoc të Prishtinës 1,040 kilogramë, ndërsa në NTP “Te Hysi” në Shtime janë asgjësuar 1,250 kilogramë.

Asgjësimi i sasisë së përgjithshme prej 5,560 kilogramësh është realizuar më 29 tetor 2026, nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së.

Aflatoksina B1 është një toksinë e prodhuar nga disa lloje myqesh, e cila mund të kontaminojë drithërat, veçanërisht misrin. Ekspozimi i zgjatur ndaj kësaj toksine mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit.

Rreziku mund të përcillet edhe në zinxhirin ushqimor, pasi përmes ushqimit të kontaminuar për kafshë, aflatoksina B1 mund të shndërrohet në aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht, duke paraqitur rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve.

AUV u ka bërë thirrje fermerëve, prodhuesve dhe tregtarëve të ushqimit për kafshë që të sigurojnë origjinën dhe gjurmueshmërinë e produkteve, të zbatojnë kushtet e duhura të ruajtjes dhe të mos përdorin apo tregtojnë misër në të cilin është konstatuar tejkalim i kufijve të lejuar të aflatoksinës B1.

Agjencia, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet zyrtare dhe analizat laboratorike, me qëllim parandalimin e qarkullimit të produkteve që paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve.

Të Ngjashme