Lajme

Endrit Thaçi dhe Klestor Veseli iu bashkuan tubimit të qytetarëve pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, dhe Klestor Veseli, djali i ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, iu bashkuan të enjten në mbrëmje protestës së qytetarëve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Prania e tyre u prit me brohoritje nga protestuesit, të cilët thërrisnin “UÇK, UÇK” dhe “Populli është me UÇK-në”, duke shprehur kundërshtimin ndaj aktgjykimit të shpallur nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Endrit Thaçi dhe Klestor Veseli qëndruan mes qytetarëve, një ditë pasi kishin qenë të pranishëm në Hagë gjatë shpalljes së vendimit ndaj baballarëve të tyre dhe dy ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta nisi në orën 21:00 nën moton “Jo në emrin tim”, shprehje përmes së cilës pjesëmarrësit kundërshtuan faktin që trupi gjykues e shpalli aktgjykimin “në emër të popullit të Kosovës”.

Qytetarët mbanin flamuj kombëtarë, flamuj të UÇK-së dhe pankarta në përkrahje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Tubimi erdhi në vazhdën e reagimeve të shumta që pasuan vendimin e 16 shtatorit.

Dhomat e Specializuara e dënuan Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet. Mbrojtja e të dënuarve ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë aktgjykimin në Gjykatën e Apelit.

Aktgjykimi ka nxitur reagime të fuqishme në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë. Përfaqësues politikë, organizata të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë kanë kundërshtuar dënimet, duke theksuar se përgjegjësia penale duhet të jetë individuale dhe se lufta çlirimtare e UÇK-së nuk mund të barazohet me krimet e regjimit serb.

Megjithatë, Dhomat e Specializuara kanë deklaruar se procesi kishte të bënte me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve dhe jo me UÇK-në si organizatë apo me karakterin e luftës së saj.

Protesta e së enjtes ishte tubimi i radhës në Prishtinë pas shpalljes së aktgjykimit. Qytetarët kërkuan që kundërshtimi ndaj vendimit të vazhdojë përmes rrugëve demokratike dhe procesit të apelimit.

Të Ngjashme