Aktuale

“Ervis Martinaj nuk jeton më!”, Klodiana Lala zbulon dëshminë tronditëse të babait të tij në SPAK dhe njeriun e

“Ervis Martinaj nuk jeton më!”, Klodiana Lala zbulon dëshminë tronditëse të babait të tij në SPAK dhe njeriun e vetëm që e di të vërtetën e zhdukjes së “bosit” të lojërave të fatit
Katër vite pas zhdukjes së Ervis Martinajt, bosit të lojërave të fatit në Shqipëri, gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje mbi fatin e tij. Lala tha se për herë të parë familja Martinaj ka artikuluar publikisht në një proces gjyqësor bindjen se Ervis Martinaj nuk jeton më. Sipas saj, procesi i zhvilluar në Gjykatën e Posaçme nuk lidhet me përgjegjësi penale ndaj Martinajt, por me pasuritë e sekuestruara nga SPAK.

Ajo tha se një pjesë e pasurive të familjes mund të lirohen, pasi pretendohet se burojnë nga aktivitete të ligjshme biznesi. Më tej Lala theksoi se babai i Ervis Martinajt, Mustafa Martinaj, dëshmoi në gjykatë se pasuritë familjare janë krijuar nga një aktivitet biznesi disavjeçar, përfshirë këmbimin valutor dhe angazhime të tjera financiare. Ndërkohë gazetarja Lala u ndal edhe te profili i Ervis Martinajt, duke e përshkruar atë si një person që vinte nga një familje e njohur dhe e konsoliduar ekonomikisht. Sipas gazetares ish-efektivi Jeton Lami mund të ketë dijeni mbi fatin e Martinajt, ndërsa përmendi edhe takimet e tij me Brilant Martinajn para atentatit ku ky i fundit mbeti i vrarë bashkë me dy persona të tjerë. “Mustafa Martinaj dëshmoi në Gjykatën e Posaçme.

Në fakt, procesi ka të bëjë me pasuritë, nuk ka të bëjë me një proces penal; ka të bëjë me vendimin e SPAK për të sekuestruar pasurinë. Dhe zoti Martinaj pretendoi që pasuritë e tij, për shkak të aktivitetit të biznesit gati 30-vjeçar dhe faktit që ai ka punuar si drejtor banke ka patur ekskluzivitete të ndryshme, ka punuar si kambist e të tjera me radhë, pra ka pasur pika të këmbimit valutor. Pretendonte që pasuritë e tij rrjedhin nga burime të ligjshme. Dhe unë besoj që disa nga pasuritë e familjes Martinaj, deri në përfundim të procesit, edhe do të lirohen. Çfarë më bëri përshtypje është që për herë të parë në një gjykatë familja Martinaj artikuloi që Ervis Martinaj nuk jeton më. Në fakt, ju e dini, unë kam qenë e dyzuar. E kam raportuar ekskluzivisht atë lajmin në Neës24, pra kallëzimin e familjes se ai ishte i zhdukur. Kam qenë e dyzuar sepse shpeshherë ndodh që bosë të krimit të organizuar, për shkak të problemeve që kanë, për shkak të kundërshtarëve që kanë, zgjedhin edhe të bëjnë edhe një jetë të tillë apo një zhdukje të vullnetshme.

Fakti që pas këtyre… shumë pas shumë kërkimeve, pas investimit edhe të partnerëve të huaj, Ervis Martinaj nuk është gjendur dhe nuk ka asnjë shenjë nga ana e tij, do të thotë që edhe unë besoj që po, ai mund të jetë rrëmbyer dhe të jetë vrarë. Pavarësisht se Ervis Martinaj ishte futur thellë në krim të organizuar, në fakt familja e tij është një ndër familjet elitare në vend. Rrjedhin nga Mali i Zi, familje me shumë tradita, shumë të vendosur, të ashpër, mbështetës të Partisë Demokratike. Kjo duhet thënë, nuk ka asgjë të keqe në fund fare që ata e pranojnë këtë gjë edhe publikisht. Që kishin shumë biznese, ishin vendosur në zonën e Fushë-Kuqes. Vetë Ervisi, sikurse tha babai ka qenë student në Itali. Nuk e përfundoi dot studimet sepse u kthye për shkak të motrave dhe nuk u diplomua, por e mbaroi thuajse të gjithë ciklin.

Pra nuk ishte njeri që vinte nga bota e krimit dhe u ngjit. Pra Ervis Martinaj ishte e kundërta: vinte nga një familje e pasur dhe që shkoi për shkak se u fut në lojërat e fatit, pati dhe këto problematika dhe përplasje shumë të forta. Unë mendoj që Jeton Lami e di të vërtetën. Jeton Lami është personi, i cili po ashtu është takuar me Brilant Martinaj përpara se Brilanti dhe dy shokët e vet të ekzekutoheshin”, deklaroi ndër të tjera Lala në “News 24” këtë fundjavë. Kujtojmë se Ervis Martinaj u denoncua i zhdukur në vitin 2022 dhe që prej asaj kohe nuk ka pasur asnjë gjurmë apo komunikim zyrtar që të provojë nëse ai është gjallë apo jo. Hetimet mbi fatin e tij vijojnë ende.

Të Ngjashme