Lajme

Expedia e pranon Kosovën si shtet të pavarur e po ashtu edhe emrin e Prishtinës në shqip

Një zhvillim i rëndësishëm është shënuar në paraqitjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës në platformat globale të udhëtimit.

Ambasadori kosovar në Gjermani, Faruk Ajeti ka bërë të ditur se falë angazhimit diplomatik, platforma e njohur Expedia ka korrigjuar pasaktësitë në faqen e saj, duke e paraqitur tashmë Kosovën si shtet të pavarur.

Ai e ka quajtur këtë zhvillim si “lajm të jashtëzakonshëm”.

Po ashtu, sipas tij, është bërë edhe korrigjimi i emërtimit të kryeqytetit, ku “Prishtina” tani figuron saktë, me emrin e shkruar në gjuhën shqipe, duke zëvendësuar formën e mëparshme që ishte në gjuhën sllave, “Priština”.

Expedia konsiderohet një nga platformat më të mëdha globale për rezervime dhe shërbime udhëtimi, duke ofruar paketa të ndryshme për miliona përdorues në mbarë botën. Në kuadër të saj operojnë edhe platforma të njohura si Hotels.com dhe Vrbo.

“Në të gjitha këto platforma, që kanë miliona klientë në mbarë botën, Republika jonë figuron ashtu siç duhet”, thuhet në njoftimin e ambasadori Ajeti. 

Të Ngjashme