Pas më shumë se 27 vitesh pritjeje, është identifikuar njëri nga 10 pjesëtarët e familjes Mëziu nga Marina e Skenderajt, të zhdukur në kuadër të “Grupit të Intelektualëve”.
Lajmin e ka bërë të ditur familja Mëziu, e cila njoftoi se bëhet fjalë për babain e familjes, Salih Mëziun.
Familjarët kanë shprehur dhimbjen për identifikimin, por edhe lehtësimin që më në fund kanë marrë një përgjigje për fatin e tij.
Postimi i familjes Mëziu:
Të nderuar familjarë e miq,
Ju njoftojmë se njëri nga 10 pjesëtarët e familjes Mëziu, nga Marina e Skenderajt, të zhdukur në kuadër të “Grupit të Intelektualëve”, është identifikuar. Ai është baba Salih Mëziu.
Pas më shumë se 27 vitesh pritjeje, kjo është një përgjigje e dhimbshme, por njëkohësisht e shumëpritur. Për kaq gjatë kemi jetuar me ankthin, shpresën dhe dhimbjen e pritjes, duke mos ditur se ku prehej i baba ynë.
Sot, edhe pse kemi marrë një përgjigje, zemrat tona mbeten të thyera.
Ne vazhdojmë të presim identifikimin edhe të pjesëtarëve të tjerë të familjes sonë, me shpresën që, pas kaq shumë vitesh, të mund të organizojmë ceremoninë e varrimit dhe t’u japim lamtumirën e fundit, me nderimin që meritojnë.
Jemi në koordinim me institucionet kompetente dhe lutemi që sa më shpejt të kemi lajme edhe për pjesëtarët e tjerë të familjes sonë.
Të pikëlluar,
Familja Mëziu!
