Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Familjari i Bahri e Fahri Fazliut: Banesa që u bastis ka shërbyer si bazë e UÇK-së

Banesa e familjarëve të dëshmorëve Bahri e Fahri Fazliu në Prishtinë, ka shërbyer si bazë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në përfundim të luftës në Kosovë, ka bërë të ditur familjari i tyre, Fadil Fazliu, pas bastisjes nga Gjykata Speciale e Hagës.

Ai tha se në këtë bastisje janë sekuestruar dy telefona dhe llap-topi personal i tij.

Falizu: Banesa ka qenë bazë e luftës

“Jetojmë këtu prej rreth vitit 1975. Sot rreth orës 07:00 kanë ardhë brenda të kontrollojnë çfarëdo që ju ka interesuar, por nuk kanë pas çfarë të marrin, sepse tashmë çdo gjë është legale. Sigurisht janë të porositur të marrin diçka, për arsyeje se kjo ka qenë një bazë e luftës, ka qenë bazë e vjetër prej viteve 1988-1989, sigurisht edhe ata shokë që janë në Hagë e që ballafaqohen me padrejtësitë atje. Të gjithë kanë qenë në përvjetorët, kanë menduar se mund të gjejnë diçka, por nuk kanë hasur në asgjë, këtu ka pas më shumë libra”, tha Fazliu.

Familjari i heronjve ka bërë të ditur po ashtu se me rastin e bastisjes nuk është marrë në pyetje askush.

Fazliu: S’kanë pasur nevojë të sekuestrojnë telefonin e djalit

“Telefonin tim personal dhe të djalit i kanë sekuestruar, bile të djalit nuk ishte e nevojshme, dhe llaptopin tim e sekuestruan. Dokumente nuk ka pas çfarë të marrin. Nuk kanë marrë në pyetje, vetëm thanë se kanë urdhër nga Gjykata Speciale për të kontrolluar banesën”, tha mes tjerash Fazliu.

I pyetur nëse dyshon se kjo lidhet edhe me vizitën që kishte në Hagë tek ish-krerët e UÇK-së, ai mohon që mund të jetë kjo një arsyeje për kontroll.