Familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit kanë publikuar një letër të përbashkët, përmes së cilës kanë bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar lidhur me zhvillimet pas procesit gjyqësor në Hagë.
Letra është bërë publike nga Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, përmes një postimi në Facebook.
Në të, familjet kanë falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar ndaj tyre dhe ndaj procesit në Hagë.
“Ne, familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, bëjmë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar në këto momente”, thuhet në letër.
Familjet theksojnë se presin nga të zgjedhurit e popullit një qasje të përgjegjshme shtetërore në raport me Dhomat e Specializuara.
“Presim sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara”, thuhet tutje.
Në letër është përmendur edhe ftesa e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takim me familjarët e ish-krerëve të UÇK-së. Ftesa për një takim gjatë kësaj jave ishte raportuar një ditë më herët.
Familjet Thaçi, Veseli dhe Krasniqi kanë bërë të ditur se e vlerësojnë ftesën, por kanë kërkuar që takimi të zhvillohet vetëm pas një vendimi të Kuvendit.
“E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, thuhet në letër.
Një ditë më parë, mediat kishin raportuar se familjet e Thaçit dhe Veselit nuk pritej t’i përgjigjeshin pozitivisht ftesës së Haxhiut, ndërsa deri në atë moment nuk kishte pasur një qëndrim të përbashkët publik nga familjet.
Letra e publikuar nga Altin Krasniqi paraqet kështu një qëndrim të përbashkët të tri familjeve, të cilat kërkojnë që fillimisht institucionet e Kosovës të marrin vendimet përkatëse dhe më pas të zhvillohet takimi.
