E ardhmja e ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale mbetet ende e paqartë, pasi ligji është kthyer në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim, pas veprimeve të presidentes dhe kërkesave për shqyrtimin e mëtejshëm të dispozitave të tij.
Tashmë pritet që deputetët ta trajtojnë sërish këtë çështje, duke shqyrtuar arsyet e kthimit dhe mundësinë e ndryshimit apo miratimit të dispozitave të propozuara.
Në rast se ligji rikthehet në votim, për miratimin e tij nevojiten së paku 61 vota, përkatësisht shumica e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, siç përcaktohet me nenin 80, paragrafi 4, të Kushtetutës.
Megjithatë, ende nuk dihet nëse Kuvendi do të arrijë ta sigurojë këtë shumicë dhe nëse ndryshimet e propozuara do të marrin miratimin e deputetëve.
Ndër çështjet që kanë nxitur diskutime janë juridiksioni i Gjykatës Speciale, kufizimi i dënimeve, mundësia e faljes presidenciale, si dhe kompetencat e institucioneve të drejtësisë në Kosovë.
Në rast se deputetët nuk arrijnë të sigurojnë së paku 61 vota, ndryshimet e propozuara nuk do të miratohen dhe nuk do të hyjnë në fuqi. Në këtë situatë, do të vazhdojë të mbetet në fuqi ligji aktual për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ndërkaq, mosmiratimi i ndryshimeve nuk nënkupton shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe as ndërprerjen e proceseve gjyqësore që po zhvillohen në Hagë.
Nëse synohet ndryshimi i dispozitave të tjera, kjo mund të bëhet përmes një procedure të re legjislative në Kuvend.
Pra, për momentin, fati i ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale mbetet i hapur. Vendimi përfundimtar varet nga qëndrimi i deputetëve dhe votat që do të sigurohen në Kuvendin e Kosovës.
Kryeziu: Nëse votojnë 61 deputetë, nuk ka nevojë të nënshkruhet nga presidenti dhe hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, në një prononcim për “Bota sot” vlerëson se kthimi i ligjit nga presidentja duhet të jetë i arsyetuar dhe në përputhje me Kushtetutën.
Sipas tij, Kuvendi mund ta miratojë sërish me 61 vota, ndërsa Qeveria më pas duhet të zhvillojë negociata me BE-në dhe Hagën për zbatimin e tij.
“Në bazë të nenit 80, pika 3, nëse presidenti e kthen ligjin, ka të drejtë ta kthejë vetëm një herë, me veto suspensive, dhe duhet ta arsyetojë. Për kthimin e ligjit janë vetëm dy arsye: nëse ligji bie ndesh me interesat kombëtare apo shtetërore, si dhe nëse cenohen me ligj të drejtat e minoriteteve.
Presidentja nuk ka shfaqur ndonjë arsye. Ligji, si i tillë, mund të shpëtojë vetëm nëse i merr 61 vota, në bazë të Rregullores së Kuvendit, të nenit 84. Kuvendi është i detyruar që brenda 4 javëve ta miratojë. Nëse jo, efekti i ligjit është nul. Nëse votojnë 61 deputetë, nuk ka nevojë të nënshkruhet nga presidenti dhe hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
Sipas mendimit tim, presidentja është dashur ta dekretojë, pastaj Qeveria, si organ ekzekutiv, të hyjë në negociata me Bashkimin Evropian dhe me Hagën për zbatimin e ligjit” – u shpreh Kryeziu për “Bota sot”.
Halilaj: Sa i përket Ligjit për Gjykatën Speciale, konsideroj se çdo vendim i Kuvendit duhet të merret me përgjegjësi të plotë juridike dhe institucionale

Avokati Gazmend Halilaj
Kurse, avokati Gazmend Halilaj, shpreh përkrahjen për LVV-në dhe Gjykatën Speciale, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë e pavarur nga politika dhe e bazuar në ligj, transparencë dhe barazi para drejtësisë.
Qëndrim personal dhe parimor
“Si jurist dhe qytetar që beson në drejtësi, sundim të ligjit dhe përgjegjësi institucionale, shpreh përkrahjen time për Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe për Gjykatën Speciale, duke vlerësuar rëndësinë e proceseve të drejta, transparente dhe të bazuara në parimet juridike.
Besoj se drejtësia nuk duhet të jetë çështje e interesave politike, por e parimeve dhe e së vërtetës. Çdo institucion duhet të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, duke garantuar barazi para drejtësisë dhe respektimin e të drejtave të secilit”, thotë ai në një përgjigje për “Bota sot”.
Halilaj thekson se vendimet për Gjykatën Speciale duhet të merren me përgjegjësi juridike dhe institucionale.
Ai nënvizon se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, mbi çdo interes politik e partiak.
“Sa i përket Ligjit për Gjykatën Speciale, konsideroj se çdo vendim i Kuvendit duhet të merret me përgjegjësi të plotë juridike dhe institucionale. Proceset e tilla kërkojnë maturi, profesionalizëm dhe respektim të procedurave kushtetuese.
Përkrahja ime për LVV-në është përkrahje për parimet e ndryshimit, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit. Ndërsa përkrahja ime për drejtësinë është e pakushtëzuar nga interesat partiake.
Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë. Ligji mbi interesin, parimi mbi politikën dhe e vërteta mbi çdo paragjykim.
Ky është qëndrimi im personal, si jurist dhe qytetar që beson në një shtet të drejtë, demokratik dhe të përgjegjshëm”, përmbylli Halilaj për “Bota sot”.
