Arben Fetoshi nga Octopus Institute ka reaguar pas mesazhit kërcënues ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i atribuuar organizatës “Brigada e Veriut”.
Fetoshi ka vlerësuar se ky kërcënim – “Sa të lindë agimi mbi Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur” – nuk duhet parë vetëm si incident sigurie që kërkon reagim policor, por si “komunikim strategjik” me synim mobilizimin radikal, paralajmërimin dhe destabilizimin, në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.
Sipas tij, një organizatë terroriste e “zhdukur” prej kohësh po rishfaqet me një kërcënim të përsëritur, i cili synon të nxisë frikë dhe pasiguri, si dhe të sinjalizojë ndërhyrje destabilizuese.
Fetoshi ka thënë se mesazhi duhet të trajtohet në kontekst të operacioneve hibride, si përpjekje për rikthim të “frontit” destabilizues në veri, instrument për mobilizim nacionalist dhe ndikim emocional te qytetarët serbë, si dhe si indikator për veprime minuese që mund të cenojnë integritetin e procesit zgjedhor.
Ai ka theksuar se kërcënimi është edhe “test për qëndrueshmërinë shtetërore dhe reagimin ndërkombëtar”, duke e cilësuar si paralajmërim për ndërhyrje të Serbisë para zgjedhjeve, me synim ruajtjen e kontrollit mbi komunitetin serb dhe përdorimin e tij si “armë” kundër Kosovës.
