Ministrja në detyrë, Fitore Pacolli, ka reaguar ndaj kritikave për situatën në veri të Kosovës, duke thënë se rendi dhe ligji tashmë po shtrihen në atë pjesë të vendit.
Ajo deklaroi se veriu është pjesë e Republikës së Kosovës dhe jo “dhuratë e Rankoviqit”, ndërsa akuzoi eksponentë politikë dhe Listën Serbe se po tentojnë të godasin qeverisjen aktuale.
Pacolli theksoi gjithashtu se disa po pengohen nga fakti që në veri tashmë ka rrugë me emrin “Isa Boletini”.
Reagimi i plotë:
Po shoh reagime nga ata që edhe nuk është e çuditshme që reagojnë. Ata që dikur as nuk arrinin të shkelnin në veri se lëre më të shtrijnë rend dhe ligj andej. E sot pikërisht këta na sillën si të brengosur me shtrirjen e rendit dhe ligjit andej. Mos keni merak veriu është pjesë e Republikës së Kosovës, nuk është dhuratë e Rankoviqit.
Eksponentë të kësaj nomenklature me veprimet e Listës serbe duan të godasin Qeverisjen tonë. Edhe ata atje dhe këta këtu siç duket i pengon shumë që më në fund në veri kemi rrugë me emrin ‘’ISA BOLETINI’’.
