Udhëheqësi i partisë, Tisza, Peter Magyar, ka fituar zgjedhjet parlamentare në Hungari, teksa kryeministri aktual, Viktor Orban, e ka uruar për fitoren në votimet e së dielës.
Orban ka udhëhequr me Hungarinë për 16 vjet dhe në zgjedhjet e 12 prillit garoi për mandatin e gjashtë radhazi.
Në një prononcim për media, Orban tha se rezultati i zgjedhjeve “është i qartë” dhe “i dhimbshëm” për partinë e tij, por u zotua se do t’i shërbejë Hungarisë nga opozita.
Ndërkaq, Magyar në një postim në Facebook falënderoi hungarezët për besimin e dhënë.
Në garë morën pjesë vetëm pesë parti – më së paku parti pjesëmarrëse në zgjedhje që nga demokratizimi i Hungarisë më 1990 – pasi disa parti u tërhoqën nga gara për të rritur shanset e fitores të partisë Tisza.
Orban, 62 vjeç, synonte mandatin e gjashtë radhazi mirëpo që e humbi.
Magyar, 45 vjeç, hyri në skenën politike dy vjet më parë, duke fituar mbështetje në mes të stagnimit ekonomik.
Udhëheqësi i partisë Tisza, Peter Magyar, gjatë fushatës zgjedhore u kishte bërë thirrje hungarezëve “që të rimarrin atdheun” për të konfirmuar vendin e Hungarisë në BE si dhe ka premtuar se do të luftojë korrupsionin dhe do të ofrojë shërbime më të mira për qytetarët.
Mirëpo a pritet që një qeveri e udhëhequr nga Peter Magyar të ndikojë në pozicionin e Hungarisë brenda Bashkimi Evropian për çështjen e Kosovës dhe dialogun me Serbinë?
Tahiraj: Orban e ktheu Hungarinë në një pengesë serioze për Bashkimi Evropian
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur veprimtari nga diaspora, Saim Tahiraj.
Tahiraj tha se, zgjedhjet në Hungary shënuan humbje për Viktor Orban dhe një refuzim të politikës së tij të afërt me Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq. Fitorja e Peter Magyar paraqitet si kthesë kundër kësaj linje politike.
Ai kritikon gjithashtu se Orban e ka penguar European Union dhe ka dobësuar mbështetjen për Ukrainën duke vepruar kundër interesave strategjike të Evropës.
“Përfundimi i zgjedhjeve në Hungari shënoi një goditje të fortë për Viktor Orban, një lider që për vite me radhë e largoi Hungarinë nga rruga evropiane dhe e afroi rrezikshëm me boshtin Vladimir Putin – Aleksandar Vuçiq. Fitorja e Peter Magyar nuk është thjesht rotacion pushteti, por një refuzim i qartë i një politike që i shërbeu më shumë interesave ruse sesa atyre të popullit hungarez.
Orban e ktheu Hungarinë në një pengesë serioze për Bashkimi Evropian, duke bllokuar vendime kyçe dhe duke sabotuar mbështetjen për Ukrainë në një moment kritik për sigurinë e kontinentit. Kjo nuk ishte vetëm papërgjegjësi politike — ishte rreshtim i hapur kundër interesave strategjike të Evropës”, u shpreh ai.

Saim Tahiraj
Ndër të tjera, veprimtari shton se, humbja e politikave pro-ruse dhe autoritare në Hungari tregon kthim të vendit drejt Evropës dhe një linjë më të qartë pro-Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe marrëdhënie më të hapura me Kosovën.
Ai konsideron se, kjo qasje duhet të sjellë më shumë të drejta për pakicat në rajon dhe të forcojë parimin e reciprocitetit në raportet me Serbia, duke përfshirë shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe komunitete të tjera.
“Humbja e tij është një mesazh i qartë: politikat pro-ruse dhe autoritare nuk kanë më vend në zemër të Evropës. Populli hungarez dëshmoi se nuk pranon të përdoret si mjet për lojëra gjeopolitike të Kremlinit.
Tani pritet që udhëheqja e re të rikthejë Hungarinë në boshtin e saj natyror – atë evropian – duke i dhënë fund izolimit, tensioneve dhe politikave bllokuese. Një kthesë e tillë duhet të reflektohet edhe në raportet me Kosovë, duke hapur një kapitull të ri bashkëpunimi dhe mbështetjeje.
Në këtë kontekst, është momenti që të ngrihet fuqishëm edhe çështja e të drejtave: për hungarezët në Vojvodinë, por njëkohësisht edhe për shqiptarët në Luginë e Preshevës dhe në Sanxhak. Standardet nuk mund të jenë selektive.
Një koordinim i tillë politik do të krijonte një ekuilibër të ri në rajon dhe do ta forconte pozitën e Kosovës në dialogun me Serbinë, duke e zhvendosur fokusin nga kompromiset e njëanshme drejt reciprocitetit dhe barazisë reale”, foli Tahiraj për “Bota sot”.
Mehmeti: Fitorja e Peter Magyar në Hungari shënon një moment të rëndësishëm politik
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, fitoren e Peter Magyar në Hungari e vlerëon si një ndryshim të rëndësishëm politik pas periudhës së gjatë të Viktor Orban, i cili kishte ndjekur një politikë të jashtme shpesh të afërt me Serbia.
Ndërsa, ai thotë që sa i përket Kosovës, nuk pritet ndryshim i madh i menjëhershëm, por një qeveri e re mund të sjellë një qasje më të balancuar dhe më të përafruar me politikat e Bashkimi Evropian.
“Fitorja e Peter Magyar në Hungari shënon një moment të rëndësishëm politik, sidomos pas një periudhe të gjatë dominimi nga Viktor Orban, i cili kishte ndërtuar një politikë të jashtme më pragmatike dhe shpesh të afërt me Serbinë në rajon.
Sa i përket Kosovës, nuk pritet një kthesë drastike dhe e menjëhershme në politikën hungareze, pasi Hungaria tashmë e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe është pjesë e strukturave euroatlantike që mbështesin stabilitetin në Ballkan. Megjithatë, një qeveri e udhëhequr nga Péter Magyar mund të sjellë një ton më të balancuar dhe më të harmonizuar me politikat e Bashkimit Evropian, duke u distancuar nga qasjet shpesh individualiste që karakterizuan periudhën e Orban”, thotë ai.

Faton Mehmeti
Në fund, analisti shtoi se Hungaria mund të luajë një rol më konstruktiv në dialogun Kosovë–Serbia duke mbështetur më fuqishëm ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe duke mbajtur qëndrime më të qarta pro integrimit euroatlantik të Kosovës.
“Në këtë kontekst, është e mundur që Hungaria të luajë një rol më konstruktiv në raport me dialogun Kosovë–Serbi, duke mbështetur më fuqishëm ndërmjetësimin e BE-së dhe duke shmangur favorizimet e perceptuara ndaj Beogradit. Kjo mund të reflektohet edhe në qëndrime më të qarta pro integrimit euroatlantik të Kosovës”, përfundoi analisti politik, Faton Mehmeti për “Bota sot”.
