Lajme

“Flasin varret”, numër i madh i qytetarëve mblidhen për të nderuar të rënët në Mejë

“Liria ka emra. Janë ata që u flijuan. Janë ata që luftuan”. “Nderim për të rënët”. “E vërteta nuk ndryshohet”. “Flasin varret”.

Me këto slogane po shënohet 27-vjetori i masakrës më të madhe në Kosovë, në Mejë të Gjakovës, atje ku më 27 prill 1999, plot 376 shqiptarë u ekzekutuan.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës, ku në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë djemtë dhe burrat shtëpi për shtëpi.

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.

Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë.

E në këtë përvjetor, numër i madh i qytetarëve po merr pjesë në nderimin që po iu bëhet të rënëve.

Të Ngjashme