Një fluturim i kompanisë “EasyJet” nga Prishtina drejt Berlinit është detyruar të kthehet dhe të kryejë ulje emergjente në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pasi dyshohet se një shqiponjë ka hyrë në njërin nga motorët e avionit.
Sipas rrëfimit të një udhëtari që ndodhej në bord, incidenti ndodhi pak pas ngritjes, kur zogu goditi motorin, duke dëmtuar turbinën e tij. Avioni ka qëndruar rreth 20 minuta në ajër, përpara se të ateronte në mënyrë të sigurt në Prishtinë.
Pas uljes, fluturimi për në Berlin u anulua.
Udhëtari theksoi se situata ishte gjatë gjithë kohës nën kontroll falë profesionalizmit të pilotit, i cili arriti ta kthejë avionin në mënyrë të sigurt në aeroport.
Lidhur me rastin, ende nuk ka një njoftim zyrtar nga kompania ajrore EasyJet apo nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.
