Lajme

Formimi i institucioneve të reja, PDK: Do ta mbrojmë rendin kushtetues me çdo mjet

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si shkelje të rendit kushtetues dhe të rregullave të përcaktuara për funksionimin e institucioneve.

Sipas PDK-së Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

Të njëjtit përmes një postimi në Facebook thonë se Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar se ky afat nuk nënkupton vetëm fillimin e procedurave, por që brenda 30 ditësh duhet të përfundojë edhe konstituimi i Kuvendit.

Partia ka ngritur shqetësime edhe për respektimin e Rregullores së Kuvendit, duke theksuar se, deri në përfundimin e seancës konstituive me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, ndërprerjet e seancës nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë.

Ky është reagimi i plotë:

Kushtetuta përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

2. Gjykata Kushtetuese e ka bërë edhe më të qartë: 30 ditët nuk janë vetëm afat për ta nisur procesin. Brenda këtij afati Kuvendi duhet të konstituohet.

3. Rregullorja e Kuvendit përcakton se, derisa të përfundojë seanca konstituive me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve, ndërprerjet nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë.

Afati 30-ditor ka kaluar pa u konstituuar Kuvendi. Tash po shpërfillet edhe rregulli 48-orësh.

Kushtetuta nuk është rekomandim. Aktgjykimet nuk janë opsionale. Rregullat vlejnë për të gjithë – edhe për pushtetin.

Ajo që po ndodh është suspendim dhe goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues të Republikës. PDK do ta mbrojë rendin kushtetues me çdo mjet!

Të Ngjashme