Përfaqësuesja e Danimarkës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka theksuar rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se integrimi evropian i të dyja vendeve është thelbësor për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.
Ajo tha se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ofron kornizën për këtë proces, ndërsa suksesi i tij varet nga gatishmëria e të dyja palëve për t’u angazhuar seriozisht, për të respektuar zotimet e marra dhe për të gjetur zgjidhje të përbashkëta.
Përfaqësuesja daneze përmendi edhe progresin e arritur gjatë këtij viti, duke veçuar marrëveshjen për ligjin për të huajt si shembull të bashkëpunimit pragmatik që mund të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve të ndjeshme dhe të lehtësojë jetën e përditshme të qytetarëve.
Ajo vlerësoi përkushtimin e vazhdueshëm të pjesëmarrësve dhe të kryesuesit të dialogut, duke theksuar se rezultatet e arritura duhet të shërbejnë si bazë për përparim të mëtejshëm.
Në kuadër të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe zotimeve të tjera, ajo theksoi se Kosova duhet të ecë përpara me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia duhet t’i përmbushë zotimet e saj dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Në përfundim, përfaqësuesja daneze nënvizoi se të dyja palët kanë përgjegjësi për zbatimin e marrëveshjeve dhe se procesi nuk mund të varet vetëm nga njëra palë.
