Aktuale

Foto me kanabis mbi 1 milion sterlina, dënohen me burg 3 shqiptarët në Angli /EMRAT

Tre shtetas shqiptarë janë dënuar me një total prej tetë vitesh e gjashtë muaj burg në Angli, pasi u kapën duke kultivuar kanabis me vlerë rreth 1 milion sterlina në një ambient industrial në veriperëndim të vendit.

Indrid Hysembelli (26 vjeç), Xhoi Kasaj (30 vjeç) dhe Romeo Toska (26 vjeç) u arrestuan gjatë një operacioni policor në qershor të vitit të kaluar, në një njësi industriale në Oldham. Ata u gjetën të fshehur në papafingo të godinës, e cila ishte kthyer në një fermë të mirëorganizuar kanabisi.

Gjatë kontrollit, oficerët zbuluan plot 889 bimë kanabisi, me një vlerë të përllogaritur prej 986,800 sterlinash. Hetimet zbuluan gjithashtu fotografi të të arrestuarve duke pozuar pranë sasisë së drogës, çka shërbeu si provë shtesë kundër tyre.

Tre shqiptarët u shpallën fajtorë për prodhim të drogës së Klasit B në Gjykatën e Kurorës në Minshull Street. Gjykata vendosi dënime të ndara për secilin: Hysembelli u dënua me 3 vjet e 7 muaj burg, Toska me 2 vjet e 8 muaj dhe Kasaj me 2 vjet e 3 muaj.

Sipas Policisë së Mançesterit të Madh, operacioni ishte i një shkalle të lartë organizimi dhe përbënte rrezik serioz për komunitetin. Autoritetet theksuan se trafikimi dhe prodhimi i drogës lidhen shpesh me aktivitete të dhunshme dhe shfrytëzim të personave vulnerabël.

Gjatë bastisjes, policia konstatoi se ndërtesa ishte e fortifikuar dhe hyrja u realizua me pajisje speciale. Një inspektim teknik zbuloi se energjia elektrike ishte marrë në mënyrë të paligjshme, duke u lidhur direkt me rrjetin kryesor në disa pika.

Brenda ambienteve u gjet edhe një zonë e improvizuar jetese me kushte tepër të këqija, e pajisur me krevate marinari, sobë, frigorifer dhe një televizor që transmetonte pamje nga kamerat e sigurisë jashtë ndërtesës.

Të Ngjashme