Lajme

FSK-ja pranon 12 kamionë ushtarakë nga Mercedes-Benz, Maqedonci paralajmëron dhjetëra të tjerë për vitin 2027

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pranuar 12 kamionë ushtarakë të tipit UNIMOG – Mercedes-Benz 5T, 4×4, të blerë për nevojat e saj.

Në ceremoninë e pranimit morën pjesë kryeministri Albin Kurti, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, si dhe Daniel Zittel, përfaqësues i Daimler Truck Defence dhe Mercedes-Benz Special Trucks.

Përmes një njoftimi, Maqedonci ka bërë të ditur se këto automjete janë pjesë e investimeve për zhvillimin e kapaciteteve transportuese dhe logjistike të FSK-së, shkruan “Bota sot”.

Ai ka theksuar se kamionët UNIMOG ofrojnë lëvizshmëri të lartë në terrene të vështira dhe do të shërbejnë për transportimin e personelit, pajisjeve dhe materialeve, si dhe për furnizimin e njësive në kushte të ndryshme operacionale.

Maqedonci ka njoftuar gjithashtu se gjatë vitit 2027 pritet të arrijnë dhjetëra kamionë të tjerë të blerë, krahas automjeteve që do të pranohen si donacion nga Gjermania.

Sipas tij, në vitin 2024, Kosova kishte pranuar pesë kamionë Rheinmetall KX 8×8 si donacion nga Gjermania. Ndërkaq, gjatë vitit 2027 pritet të pranohen edhe dy kamionë të këtij tipi dhe katër kamionë zjarrfikës UNIMOG – Mercedes-Benz, po ashtu si donacion.

Ministri ka bërë të ditur se me 12 kamionët UNIMOG dhe tetë kamionët Rheinmetall që kanë arritur gjatë kësaj jave, numri i automjeteve të pranuara nga këto dy kategori ka arritur në 35.

Ai ka vlerësuar se këto mjete do të forcojnë mbështetjen logjistike dhe do të rrisin aftësinë e njësive për të vepruar me efikasitet.

“Logjistika është pjesë thelbësore e gatishmërisë operacionale”, ka theksuar Maqedonci, duke nënvizuar rëndësinë e investimeve në pajisje, infrastrukturë dhe kapacitete njerëzore.

Në fund, ministri ka falënderuar kryeministrin Kurti, komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, ambasadorin gjerman Rainer Rudolph dhe përfaqësuesin e kompanive gjermane për bashkëpunimin dhe mbështetjen në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së.

Të Ngjashme