Në mbledhjen komemorative për ndarjen nga jeta të Flora Brovinës, e cila u mbajt në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, për figurën e saj foli edhe shkrimtari dhe studiuesi, Shyqri Galica.
Galica, i cili e njohu nga afër Brovinën dhe veprimtarinë e saj, tha se ajo ishte një luftëtare e UÇK-së që nuk e ndali veprimtarinë e saj as gjatë kohës së burgosjes nga forcat serbe.
Galica: Flora ishte luftëtare e paepur e UÇK-së
“Ajo ishte një luftëtare e UÇK-së, e cila nga arma në brez deri në kazamatet serbe nuk e ndali veprimtarinë. Me ballë lart nuk u ndal asnjë çast për t’u furnizuar kolegët me armë, me uniforma, me barna e shërbime, me pajisje shëndetsore dhe me kurajën që ishte qendrore në atë kohë. Edhe në liri u dëshmua si veprimtare, humaniste e atdhetare fisnike. Duke qenë shpesh krah të saj me shokë e shoqe të tjera, veprën e Dr. Flora Brovinës e njohim nga afër, ndaj pikëllimi ynë në këto çaste të dhimbjes na bën krenarë që patëm njërën nga nënat e motrat tona, padyshim që kurdoherë u gjend në ballë të refleksioneve dhe situatave, duke mos kursyer asgjë për ditën që gëzojmë sot, për lirinë e atdheut,” u shpreh Galica.
