Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kritikuar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për mungesën e uniformave të Policisë së Kosovës, duke thënë se, pavarësisht rritjes së buxhetit, ankesat e zyrtarëve policorë janë shtuar.
Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, Musliu kërkoi nga ministri Sveçla që të ndërhyjë për zgjidhjen e problemit me furnizimin e policëve me uniforma.
Ajo tha se në kohën kur PDK-ja ishte në pushtet, buxheti për Policinë ishte më i vogël, por, sipas saj, nuk kishte ankesa të tilla.
Musliu kritikon Sveçlën: Më shumë buxhet, më shumë ankesa nga Policia
“Unë të rekomandoj të përzihesh se ti në fund po shkatërron gjithçka, pa uniforma, përzihu në fillim thuaj kemi marrë tenderin por mos i leni policët pa uniforma. Ne kemi pasur buxhet më pak, por nuk kemi pasur asnjë policë që është ankuar. Logjika nuk është e qartë, më shumë buxhet, më shumë ankesa nga Policia”, tha Musliu.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se Policia e Kosovës është e pajisur me mjetet e nevojshme për përmbushjen e detyrave të saj.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fadil Hadërgjonaj, Sveçla tha se gjatë 5 viteve të qeverisjes janë shpenzuar 732 milionë euro për Policinë e Kosovës, prej të cilave 189 milionë euro për pajisje dhe investime të ndryshme.
Sveçla: Policia është e pajisur, 189 milionë euro janë shpenzuar për pajisje
“Policia e Kosovës është e pajisur me të gjitha pajisjet, uniformat dhe mbathjet për përmbushjen e detyrave të saj. Gjatë pesë viteve të qeverisjes sonë, buxheti i alokuar dhe i shpenzuar ka arritur në 732 milionë euro, prej të cilave 189 milionë euro janë shpenzuar për uniforma, armatim, municion, makineri të lehtë dhe të rëndë, teknologji informative, radio komunikim, automjete, mirëmbajtje dhe të tjera. Aktualisht PK ka 180 kontrata aktive me vlerë mbi 70 milionë euro, të cilat përfshijnë investimin në pajisje. Gjatë qeverisjes sonë janë rekrutuar mbi 3 mijë kadetë policorë. Me rritjen e numrit, rriten edhe nevojat për pajisje por këto nevoja po adresohen dhe po përmbushen vazhdimisht. Duke pasur parasysh aspektin e cenimit të sigurisë dhe interesat operative të PK, këto janë të dhënat që mund të bëj publike”, tha ai.
Megjithatë, deputeti Hadërgjonaj kërkoi përgjigje më konkrete lidhur me kohën e blerjes së uniformave dhe sasinë e tyre.
Hadërgjonaj kërkon nga Sveçla të tregojë kur janë blerë uniformat dhe në çfarë sasie
“A mundeni rreth pajisjeve personale pa hyrë në të dhënat konfidenciale, me na tregu kur janë blerë uniformat dhe në çfarë sasie”, tha Hadërgjonaj.
Në përgjigjen e tij, ministri Sveçla bëri të ditur se kontrata për furnizimin me uniforma tashmë është nënshkruar, ndërsa tha se nuk ka mungesa të uniformave taktike dhe operacionale.
Sveçla: Kontrata për uniformat është nënshkruar, nuk ka mungesa të pajisjeve taktike
“Tashmë kontrata është nënshkruar dhe kontrata do të bëhet këto ditë në vijim. Sa i takon uniformave taktike dhe operacionale ato kanë ndodhur në vazhdimësi dhe nuk ka mungesa”, tha Sveçla.
Pas pyetjes së deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu, ministri dha sqarime edhe për procedurat e prokurimit për furnizimin e Policisë me uniforma të rendit.
Ai tha se procedurat janë iniciuar 4 herë, por janë përballur me anulime dhe ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Sveçla: Tenderi për uniformat u përball me 6 ankesa, procedurat zgjatën deri në 3 vjet
“Sipas raportit që kam pranuar nga policia, procedurat për këtë furnizim janë iniciuar katër herë. Në vitin 2021 është iniciuar një procedurë e hapur në vlerë 11.3 milionë euro dhe pastaj kjo është anuluar nga vet policia pasi procedurat nuk i kanë plotësuar aspektet administrative. Në vitin 2023 është iniciuar një tjetër procedurë e hapur në vlerë 11.3 milionë euro dhe kjo procedurë ka zgjatur deri në tri vjet për shkak të gjashtë ankesave dhe vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit”, tha ai.
