Aktuale

Gazetarja u mbajt për rreth dy orë në komisariat pas protestës para Kuvendit

Redaksia e Citizens.al ka reaguar publikisht pas shoqërimit në polici të gazetares Vjolanda Peca, e cila, sipas deklaratës së medias, u mbajt për rreth dy orë në komisariat pas protestës së zhvilluar këtë të enjte para Kuvendit të Shqipërisë.

Në reagimin e saj, Citizens.al e cilëson të papranueshëm shoqërimin e gazetares kundër vullnetit të saj, duke e konsideruar një shkelje të lirisë së ushtrimit të profesionit.

“Shoqërimi në komisariat kundër vullnetit dhe mbajtja për më shumë se dy orë e gazetares në kushte të privimit të lirisë është e papranueshme dhe një shkelje e rëndë e lirisë së ushtrimit të profesionit, që nuk duhet të përsëritet”, thuhet në deklaratën e redaksisë.

Sipas Citizens.al, Vjolanda Peca ndodhej në terren për të raportuar mbi zhvillimin e protestës para Parlamentit në momentin kur u shoqërua nga efektivë të Policisë së Shtetit.

Në reagim theksohet se gazetarët kanë të drejtën kushtetuese të raportojnë ngjarje me interes publik pa u penguar apo intimiduar për shkak të detyrës së tyre.

“Gazetarët kanë detyrimin dhe të drejtën kushtetuese të raportojnë ngjarjet me interes publik, pa u penguar, intimiduar apo shoqëruar nga autoritetet për shkak të punës së tyre. Çdo ndërhyrje që cenon ushtrimin e lirë të profesionit përbën shqetësim serioz për lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar”, vijon deklarata.

Në përfundim të reagimit, Citizens.al u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të garantojnë ushtrimin e lirë dhe të sigurt të profesionit të gazetarit, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për informim.

Deri në publikimin e këtij lajmi, Policia e Shtetit nuk ka bërë një reagim publik lidhur me shoqërimin e gazetares apo arsyet e mbajtjes së saj në komisariat.

Të Ngjashme