Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka mirëpritur dekretimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Procedurën e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe luftimit të pasurisë së pajustifikueshme.
Dy javë pas miratimit në Kuvendin e Kosovës, Ligji mori dritën e gjelbër edhe përmes dekretimit nga Presidentja e Republikës së Kosovës, duke hapur rrugën për avancimin e një mekanizmi të rëndësishëm institucional në luftën kundër pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.
“Byroja Shtetërore përfundimisht shënon fundin e një epoke kur pasuria e pajustifikueshme mund të fshihej pas pushtetit dhe privilegjeve”, tha Ministrja Gërvalla.
Ajo ka ritheksuar parimin se askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe se përfitimi i pasurisë që nuk mund të justifikohet nuk mund të tolerohet.
“Askush nuk mund të jetë mbi ligjin, dhe askush nuk guxon të përfitojë pasuri që nuk mund ta justifikojë”, ka deklaruar ministrja Gërvalla.
Ligji për Byronë Shtetërore për Procedurën e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme përcakton themelimin, organizimin dhe kompetencat e Byrosë, si dhe procedurat për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
