Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se përmes marrëveshjes së bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës synohet angazhimi i ekspertizës akademike në fushën e drejtësisë.
Ajo tha se dija dhe profesionalizmi i personelit akademik të UP-së do të përdoret në hartimin e politikave, përmirësimin e legjislacionit, studime, analiza dhe propozime, si dhe në hartimin e dokumenteve teknike dhe programeve për çështje të ndryshme, përfshirë kontestet pronësore.
Gërvalla ka falënderuar Rektorin e Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Arben Hajrullahu, për bashkëpunimin dhe përkushtimin në këtë proces.
“Përpara ecim me dije dhe profesionalizëm, të bindur në potencialin që kemi dhe në atë që mund të ndërtojmë së bashku”, ka shkruar ajo.
Ndryshe, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës, së bashku me Rektorin Prof. Dr. Arben Hajrullahu, për ekspertizë akademike dhe profesionale në fushën e drejtësisë.
