Lajme

Gjendet pas 75 vitesh aeroplani i fundosur në det

Pas më shumë se shtatë dekadash nën ujë, janë gjetur rrënojat e avionit të kompanisë Pan Am, i cili u rrëzua në oqean në vitin 1952 pranë brigjeve të Porto Rikos.

Zbulimi i avionit DC-4 “Clipper Endeavor” rikthen në vëmendje një prej aksidenteve më të rëndësishme në historinë e aviacionit, pasi prej tij lindën shumë prej rregullave të sigurisë që përdoren ende sot në fluturimet e pasagjerëve.

Avioni u rrëzua më 11 prill 1952, gjatë fluturimit Pan Am 526A, i cili ishte nisur nga aeroporti San Juan-Isla Grande në Porto Riko drejt Nju Jorkut. Në bord ndodheshin 64 pasagjerë dhe 5 anëtarë ekuipazhi.

Vetëm pak minuta pas ngritjes, dy motorë të avionit pësuan defekte të rënda, duke bërë që pilotët të humbnin kontrollin e lartësisë dhe të vendosnin për një ulje emergjente në det.

Avioni përfundoi në ujë vetëm 9 minuta pas nisjes. Përplasja fillestare nuk shkaktoi viktima, pasi të gjithë personat në bord arritën të mbijetonin në momentet e para. Por situata u përkeqësua më pas, kur pasagjerët u përballën me panik, vështirësi në gjetjen e jelekëve të shpëtimit dhe probleme me nxjerrjen e gomoneve të emergjencës.

Avioni u fundos brenda vetëm tre minutash, ndërsa nga 69 personat në bord, 52 humbën jetën dhe 17 mbijetuan.

Dëshmitë e të mbijetuarve ndikuan drejtpërdrejt në ndryshimin e procedurave të sigurisë në aviacionin civil. Pas kësaj tragjedie u futën udhëzimet që sot janë standard në çdo fluturim, përfshirë shpjegimin e daljeve të emergjencës dhe përdorimin e pajisjeve të shpëtimit.

Rrënojat e avionit u zbuluan në një thellësi prej rreth 610 metrash, nga një ekip eksploruesish që përdori një dron autonom me sonar.

Operacioni u drejtua nga kompania Deep Sea Vision, e cila më parë kishte zhvilluar edhe një kërkim për avionin e zhdukur të pilotes së famshme Amelia Earhart.

Zbulimi i avionit historik pritet të dokumentohet në një episod special të Discovery Channel, i cili do të transmetohet gjatë vjeshtës.

Të Ngjashme