Lajme

Gjermania thërret ambasadorin kinez për raportimet mbi trajnim ushtarak të trupave ruse

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë thirri ambasadorin e Kinës për një takim urgjent lidhur me pretendimet se Pekini ka ofruar trajnim ushtarak për trupat ruse, transmeton Anadolu.

Sipas revistës javore gjermane Der Spiegel, takimi i zhvilluar dje u përqendrua te pretendimet se ushtarë rusë kishin marrë trajnim n ë Kinë me mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare Popullore.

Der Spiegel raportoi se forcat e armatosura kineze kanë trajnuar fshehurazi rreth 200 ushtarë rusë në Kinë në fund të vitit të kaluar. Sipas raportit, një pjesë e këtyre trupave janë kthyer që atëherë për të luftuar në Ukrainë.

Diplomatët gjermanë i përshkruan raportimet si “shumë shqetësuese”, ndërsa një burim diplomatik i tha revistës: “Çdo gjë që i mundëson Rusisë të vazhdojë luftën e saj agresive kundër Ukrainës përbën gjithashtu një kërcënim për sigurinë tone”.

Burimi shtoi se ky mesazh iu përcoll qartë palës kineze.

Revista tha se kërkesa e Berlinit për një takim urgjent ishte një protestë diplomatike e qëllimshme, megjithëse nuk arriti deri në nivelin e një thirrjeje zyrtare për sqarime.

Të Ngjashme