Gjigandi amerikan i teknologjisë Nvidia po heton pretendimet se CEO i saj Jensen Huang ka pasur një lidhje me një spiune të dyshuar kineze.
Më vete, Huang ndau një deklaratë me stafin e Nvidia-s, në të cilën ai pranoi se kishte qenë “i pabesë” ndaj gruas së tij, të cilën e takoi në universitet , dhe kërkoi falje që i kishte lënduar atë dhe fëmijët e tyre.
Nvidia njoftoi të dielën se po kryente një hetim të pavarur mbi raportet se Huang ishte “objektiv i një përpjekjeje të inteligjencës së huaj”.
Gazeta New York Times raportoi se inteligjenca amerikane përcaktoi se gruaja po mblidhte informacione për Pekinin.
Ndërkohë, Kina ka mohuar të hënën se ishte përfshirë në një përpjekje për të zënë në grackë CEO-n e Nvidia-s, Jensen Huang , duke thënë se akuzat për spiunazh ishin të pabazuara dhe një fushatë shpifjesh kundër Pekinit.
“Akuza e ashtuquajtur për spiunazh kinez është e pabazuar. Nuk është gjë tjetër veçse shpifje kundër Kinës”, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Guo Jiakun.
Mediat kineze janë përqendruar kryesisht te pranimi i çështjes nga Huang dhe mediat shtetërore kanë ndjekur kryesisht linjën zyrtare të qeverisë. Disa kanë thënë se raporti i New York Times kishte për qëllim destabilizimin e marrëdhënieve SHBA-Kinë.
Nvidia është një nga kompanitë më me vlerë në botë të listuara në bursë, së bashku me Apple dhe Microsoft.
Shitjet e saj të çipave kompjuterikë në Kinë janë vënë në shënjestër herë pas here nga rregullatorët amerikanë që kërkojnë të kufizojnë aksesin e Pekinit në një teknologji të tillë.
