Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka pritur në takim një delegacion të lartë shtetëror dhe diplomatik nga Franca.
Gjini poashtu ka njoftuar se i ka uruar mirëseardhje në misionin e tij ambasadrit të sapoemruar francez në Kosovë.
“Në këtë bashkëbisedim ritheksova qëndrimin tonë, përballë sfidave të kohës dhe proceseve historike nëpër të cilat po kalon populli ynë, bashkëpunimi dhe koordinimi me aleatët tanë strategjikë është i domosdoshëm”, shkruan Gjini.
Shkrimi i plotë:
Në një moment tejet të ndjeshëm dhe vendimtar për vendin tonë, sot pritëm në Aleancë në një takim të rëndësishëm delegacionin e lartë shtetëror dhe diplomatik nga Franca.
Ishte një mundësi e çmuar për t’i uruar mirëseardhje në misionin e tij të ri Ambasadorit të sapoemëruar francez në Kosovë, Sh.T. Jean-François Huchet, si dhe për të bashkëbiseduar me Senatorët e nderuar të Senatit Francez të kryesuar nga Marta de Cidrac, Laurence Harribey, Alain Milon dhe Arnaud Bazin.
Në këtë bashkëbisedim ritheksova qëndrimin tonë, përballë sfidave të kohës dhe proceseve historike nëpër të cilat po kalon populli ynë, bashkëpunimi dhe koordinimi me aleatët tanë strategjikë është i domosdoshëm.
Gjatë takimit diskutuam gjerësisht për mbështetjen që Franca mund të ofrojë në proceset integruese të Kosovës, në veçanti anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe për vizionin e Aleancës për një shtet të zhvilluar e të integruar plotësisht në familjen evropiane.
Kosova ka nevojë për mbështetjen e Francës, si partner i fuqishëm dhe i pazëvendësueshëm në rrugëtimin tonë shtetndërtues.
