Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kryesisë së partisë është diskutuar për situatën aktuale politike dhe institucionale në vend.
Përmes një postimi në Facebook, Gjini tha se diskutimet u përqendruan te kriza politike dhe, siç e përshkroi ai, “bllokada e paprecedentë institucionale” në Kosovë.
“Pozicioni ynë, që nga ditët e para pas mbylljes së kutive të votimit, ka qenë plotësisht konstruktiv dhe pro krijimit të institucioneve të rregullta”, shkroi Gjini.
Ai tha se AAK-ja ka paraqitur një ofertë politike, për të cilën pretendon se do të mundësonte tejkalimin e ngërçit institucional, por sipas tij, ajo nuk është marrë në konsideratë nga partia e parë e dalë nga zgjedhjet.
Gjini shprehu shqetësim për vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe tha se vendi rrezikon një bllokadë të mëtejshme institucionale.
Ai kritikoi gjithashtu qasjen e partisë fituese ndaj institucioneve dhe ligjeve, duke pretenduar se disa prej tyre cenojnë pavarësinë institucionale dhe rendin kushtetues.
Sipas Gjinit, situata aktuale ka pasoja edhe në fusha të tjera, përfshirë ekonominë, shëndetësinë, arsimin dhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në fund të deklarimit të tij, Gjini tha se AAK-ja do të vazhdojë angazhimin politik për tejkalimin e krizës dhe rikthimin e funksionimit normal të institucioneve.
“Si Aleancë, do të vazhdojmë të angazhohemi në mbrojtje të projektit tonë shtetëror dhe do të përdorim çdo rrugë politike për të rikthyer normalitetin dhe zhvillimin në vend”, shkroi ai.
