Kryetari i Aleancës Ardian Gjini, ka shprehur mbështetje për nismën e Institutit të Kosovës për Drejtësi, e cila synon sanksionimin penal të shkeljes së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe keqpërdorimit të parasë publike për qëllime elektorale.
IKD ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për një nismë legjislative qytetare, me të cilën kërkon ndryshimin e Kodit Penal.
Instituti propozon që moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga zyrtarët publikë të trajtohet si vepër penale, ashtu si edhe përdorimi i mjeteve nga buxheti i shtetit për të ndikuar në vullnetin e votuesve dhe për të krijuar avantazh të padrejtë gjatë fushatave zgjedhore.
Përmes një reagimi publik, Gjini tha se, edhe pse në një demokraci funksionale respektimi i Kushtetutës dhe mos keqpërdorimi i mjeteve publike duhet të jenë standard, abuzimet flagrante të viteve të fundit e kanë bërë të domosdoshëm rregullimin e këtyre çështjeve me ligj.
Ai theksoi se ndarja e mjeteve publike vetëm pak ditë para zgjedhjeve nuk përbën politikë sociale, por është, sipas tij, një manipulim për blerjen e votave me paratë e qytetarëve.
“Zgjedhjet duhet të jenë garë e barabartë, jo një treg ku pushteti hyn në garë me buxhetin e shtetit në dorë”, ka shkruar Gjini, transmeton KosovaPress.
Sipas tij, duhet të ketë përgjegjësi penale si për shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe për keqpërdorimin e parasë publike për fushata zgjedhore.
“Ky abuzim duhet të dënohet me ligj për këdo. Unë do ta nënshkruaj”, ka deklaruar Gjini, duke iu bashkuar mbështetësve të nismës së IKD-së.
Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, bëri të ditur të enjten, se për procedimin e kësaj nisme në Kuvend nevojiten së paku 10 mijë nënshkrime.
