Aktuale

Gjobë biznesmenit dhe qëlluan me armë drejt hotelit në Vlorë/ Autorët përfshihen në aksident të frikshëm

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në një hotel në zonën e Orikumit, në Vlorë, ku një grup prej më shumë se 10 personash dyshohet se kanë shkuar për t’i vendosur gjobë pronarit të hotelit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30. Sipas informacioneve paraprake, personat kanë kërcënuar fillimisht pronarin me fjalë, ndërsa më pas situata është përshkallëzuar dhe dyshohet se janë përdorur edhe armë.

Autorët i kanë kërkuar pronarit të hotelit shumën prej 5 milionë eurosh. Gjatë përplasjes mes palëve ka pasur edhe konflikt fizik, ndërsa grupi është larguar me shpejtësi nga ambientet e hotelit.

Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur ndjekjen e personave të dyshuar. Gjatë ndjekjes, dy persona që udhëtonin me një automjet janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të qytetit të Vlorës. Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.

Sipas të dhënave paraprake, njëri prej tyre ka pësuar dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka marrë dëmtime si pasojë e aksidentit.

Ndërkohë, forca të shumta policie janë angazhuar në disa zona të Vlorës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.

Policia po vijon kontrollet dhe hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të incidentit, identifikuar personat e përfshirë dhe dokumentuar rrethanat e ngjarjes. Informacionet e deritanishme janë paraprake.

Të Ngjashme