Tiranë – Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që pezulloi gjobat në flagrancë gjatë protestave nuk ka ngrirë nenet e tjera të aktit normativ që hyri në fuqi më 28 tetor. Ndërkohë që forcat e rendit nuk mund të aplikojnë sanksionet e parashikuara nga ky akt kur protestuesit nuk u binden urdhrave për shpërndarje, nuk largohen nga zonat e mbrojtura apo mbajnë maska, dispozitat e tjera të ndërhyrjes në ligjin për tubimet mbeten në fuqi derisa gjykata të shprehet në themel për çështjen.
Kjo do të thotë se për policinë mbeten të zbatueshme risitë e tjera të sjella përmes aktit normativ te neni 24, ku parashikohen masa më të larta ndëshkimore, si gjoba prej 100 mijë lekësh për pjesëmarrje në tubime të ndaluara dhe gjoba deri në 100 mijë lekë për mbajtje maskash. Akti normativ, i cili është shpallur për shqyrtim me përparësi nga Gjykata Kushtetuese, vazhdon të prodhojë efekte edhe për kufizimet e përkohshme rreth objekteve të caktuara, ku përcaktohen arsyet, perimetri dhe kohëzgjatja, si dhe për të drejtën e efektivit të policisë për të urdhëruar largimin nga zonat e mbrojtura, përfshirë perimetrin rreth stacioneve dhe mjeteve të transportit publik apo hapësirat e përcaktuara nga këshilli bashkiak.
Nga ana tjetër, përballë pamundësisë për të vendosur gjoba në flagrancë sipas dispozitave të pezulluara të aktit normativ nën shqyrtim kushtetues, policia po orienton zbatimin e masave drejt Kodit Rrugor. Neni 20 i këtij kodi parashikon sanksione financiare nga 25 mijë deri në 100 mijë lekë për këdo që zë sipërfaqen rrugore pa lejen përkatëse.
