Lajme

Gjykata në Paris pezullon ndalimin e protestave pranë shkollave dhe universiteteve

Një gjykatë administrative në Paris ka pezulluar të martën urdhrin e policisë që ndalonte protestat, marshimet dhe grumbullimet brenda një rrezeje prej 100 metrash nga disa shkolla të mesme dhe universitete në rajonin e kryeqytetit francez.

Gjykata arsyetoi se prefektura nuk kishte ofruar “informacione të detajuara dhe të përditësuara” për të justifikuar kufizimet.

Policia e kishte mbrojtur vendimin duke iu referuar “incidenteve të shumta dhe bllokadave” pranë institucioneve arsimore, të cilat, sipas saj, pengonin zhvillimin normal të mësimit dhe qasjen e nxënësve në arsim, shkruan Anadolu.

Megjithatë, gjykata vuri në dukje se incidentet e fundit të përmendura nga autoritetet kishin të bënin vetëm me pesë nga 15 lokacionet e përfshira në ndalim. Ajo gjithashtu e cilësoi joproporcional ndalimin pesëditor, duke marrë parasysh “natyrën e ndryshueshme dhe të paparashikueshme” të bllokadave.

Ndalimi, i cili hyri në fuqi të hënën dhe ishte paraparë të zgjaste gjatë gjithë javës, ishte vendosur pas gati dy muajsh bllokadash studentore, dëmtimesh të pronës dhe përleshjesh me forcat e rendit.

Protestat nisën në shtator për shkak të mbingarkesës në klasa, mungesës së mësimdhënësve dhe kushteve të dobëta në ndërtesat shkollore, përpara se t’u bashkoheshin protestave më të gjera të sindikatave dhe lëvizjes së “jelekëve të verdhë”, kundër rritjes së kostos së jetesës.

Të Ngjashme