Lajme

Gjykata Supreme: Pretendimet për vonesa në rastet e paraburgimit janë të pavërteta

Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ndaj deklarimeve të Odës së Avokatëve të Kosovës lidhur me pretendimet për vonesa në trajtimin e rasteve të paraburgimit, duke shprehur keqardhje për mënyrën e ngritjes së këtyre shqetësimeve, transmeton IndeksOnline.

Në sqarimin për opinionin publik, Gjykata Supreme thekson se pas verifikimeve të brendshme, pretendimet për vonesa sistematike në shqyrtimin e paraburgimeve rezultojnë të pavërteta.

Sipas Gjykatës, çështjet që lidhen me caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit trajtohen me urgjencë dhe prioritet të lartë, brenda afateve të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Reagimi i plotë:

Kundër-Reagim dhe sqarim për opinionin publik lidhur me pretendimet e Odës së Avokatëve për vonesa në çështjet e paraburgimit

Prishtinë, 25 maj 2026 – Gjykata Supreme e Kosovës shpreh keqardhje të thellë për mënyrën e reagimit të Odës së Avokatëve të Kosovës, për kinse vonesa në trajtimin e rasteve të paraburgimit nga Gjykata Supreme.

Gjykata Supreme, sqaron opinionin publik se, pas verifikimeve të kryera, pretendimet për vonesa sistematike në shqyrtimin e paraburgimeve, rezultojnë të pavërteta.

Çështjet që kanë të bëjnë me caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit trajtohen me urgjencë dhe prioritet të lartë dhe shqyrtohen brenda afateve të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale, si dhe në përputhje me standardet dhe dispozitat ndërkombëtare që garantojnë mbrojtjen e lirisë personale dhe procesin e rregullt ligjor.

Gjykata Supreme mbetet e përkushtuar që në çdo rast të respektohen afatet ligjore dhe të sigurohet trajtim efikas i mjeteve juridike në çështjet e paraburgimit, duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe rëndësinë që këto raste kanë për të drejtat themelore të qytetarëve.

Nëse Oda e Avokatëve të Kosovës i referohet ndonjë rasti konkret, ku pretendohet se ka pasur tejkalim të afateve ligjore apo vonesa të pajustifikuara, ftohet që t’i adresojë të dhënat tek Kryetari i Gjykatës.

Gjykata Supreme është e hapur për bashkëpunim dhe komunikim profesional me të gjithë akterët e sistemit të drejtësisë, në funksion të garantimit të të drejtave dhe lirive themelore, forcimit të sundimit të ligjit dhe avancimit të administrimit të drejtësisë.

Të Ngjashme