Në seancën e së enjtes në gjykimin ndaj Vullnet Gashit i cili po akuzohet për aksidentin me fatalitet në lagjen “Dardania” në Prishtinë, ka vazhduar dëgjimi i ekspertit të komunikacionit rrugor, Ahmet Maxhuni, i cili tha se duke pasur parasysh se vendi ku ka ndodhur aksidenti është me tre shirita qarkullues në një drejtim dhe këmbësori është goditur në shiritin e tretë, do të thotë se ai nuk ka dalë befasishëm në rrugë.
Në këtë rast, Vullnet Gashi akuzohet se shkaku i aksidentit të shkaktuar në dhjetor të 2023-ës në Prishtinë, F.B- si këmbësor kishte ndërruar jetë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me këtë, eksperti tha se edhe pse në shiritin para tani të akuzuarit ka qenë një kamion me përmasa më të mëdha, ai nuk e ka penguar pasi që i akuzuari Gashi është dashur të ketë kujdes të shtuar meqë kamioni ishte ndalur.
Maxhuni deklaroi se në asnjë dokumentacion të lëndës nuk ka ndonjë të dhënë se ka pasur frenim nga drejtuesi i veturës.
Ai theksoi se nuk mund të paragjykojë se aksidenti do të kishte mundur të shmangej nëse drejtuesi i veturës do të kishte lëvizur me shpejtësinë e lejuar.
Ndër tjerash, eksperti deklaroi se nuk mund të përcaktojë momentin se kur ka ndodhur goditja e tani të ndjerit F.B., pasi që nuk ka video-incizim ku paraqitet momenti i goditjes si dhe nuk ka incizim se vetura është ndalë në momentin e goditjes.
Sipas Maxhunit, në momentin e goditjes tani i ndjeri kishte rënë në tokë dhe gjurmët e lëndimeve që kanë mbetur në veturë janë në xhamin e përparmë nga ana e djathtë e veturës.
Ai tha se sipas ligjit, këmbësorëve u lejohet kalimi i rrugës në distancë mbi 50 metra nga vendkalimi i këmbësorëve.
Seanca ka vazhduar edhe me dëgjimin ekspertit të komunikacionit Durak Cakiqi, i cili deklaroi se në bazë të analizës hapësinore dhe kohore, drejtuesi i veturës- në këtë rast i akuzuari Gashi, nuk ka pasur mundësi teknike që të evitojë aksidentin për shkak se rruga e ndaljes së veturës është më e gjatë se distanca e paraqitjes së rrugës prej ku ka mundur të sheh këmbësorin.
Cakiqi tha se mendon që në bazë të llogaritjes së shpejtësisë dhe analizës së rrjedhës së aksidentit, goditja ka ndodhur në sekondën e 53.52 të video-incizimit, ku goditjen primare tani i ndjeri e kishte marrë në pjesën e përparme të automjetit- përkatësisht në tabelën e regjistrimit të veturës në anën e majtë e pastaj në kapakun e motorit dhe është hedhur në xhamin e parë të veturës në pjesën e djathtë.
